
Tiranë, 12 gusht 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Luçiano Boçi, denoncoi atë që e quajti fushatë të kompromentuar që në nisje nga Kryeministri Edi Rama, lidhur me universitetet.
Sipas tij, kur aksionet bëhen në mënyrë spotane, pa transparencë dhe për interesa klienteliste, ato janë të destinuara të mos sjellin rezultatet e duhura dhe të mos i shërbejnë shoqërisë.
Boçi tha se kur mbyllja e më shumë se 30 universiteteve bëhet nga persona që integritetin e kanë njësoj të cenuar, sa konstatimet në raportet që bëjnë, atëherë kjo lëvizje çalon që në nisje, është e kompromentuar.
“Kryeministri që mbron këtë fushatë me batuta, nuk thotë asnjë fjalë; se si mund të jetë kryekontrollorja e cilësisë së universiteteve, ajo që vendosi për mbylljen e tyre, një person me doktoraturë false, dhe donatore e Partisë Socialiste në zgjedhje. A nuk ka Shqipëria, specialistë e specialiste të pacen, ekselentë, me integritet të lartë. Ka dhe ka me shumicë. Por Edi Rama ka zgjedhur të punojë me të tjerë, që kanë edhe konflikt interesi, sepse ky soj i shërben interesave të tij private e klienteliste”, u shpreh Boçi.
Deputeti demokrat deklaroi se Partia Demokratike është për ligjshmërinë dhe respektimin e standardeve në fushën e Universiteteve dhe në sistemin e arsimit të lartë, duke shtuar se nuk mund të pajtohet me reduktimin me 12 mijë të kuotave për të rinjtë që duan të frekuentojnë arsimin e lartë publik, ndërsa tha se frika është se kësaj do ti shtohen edhe 6 mijë të rinj, për shkak të mbylljes së universiteteve private.
Në mbyllje të fjalës së tij Boçi u shpreh se, “Me Edi Ramën, 18 mijë të rinj nuk do të kenë universitetin si zgjedhjen e tyre, por rrugën, baret, bixhozin, dhe për fat të keq më shumë gjasë krimin, sepse kështu vendosi papritur Kryeministri i vendit”.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





