
Tiranë, 9 gusht 2014, NOA.al – Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, është shprehur në një deklaratë për media se muaji korrik ka shënuar përkeqësim të rendit dhe sigurisë në çdo drejtim.
“Teksa në muajin korrik, Edi Rama dhe të tijtë, ishin të zënë me paradat e sukseseve imagjinare të 300 ditëve, të gjithë treguesit e rendit në vend kanë pësuar një përkeqësim tronditës, duke e bërë pasigurinë të papërballueshme për qytetarët”, ka thënë Ristani.
Sipas tij, Rama dhe Tahiri delirojnë nën efektin toksik të Lazaratit, por vetëm brenda javës së fundit, dy ngarkesa prej 3 tonë e 124 kg marijuanë kanë kaluar nëpër kufijtë tanë dhe janë kapur në Itali.
“Edi Rama mbush Tiranën dhe vendin me reklama në rrugë për sukseset e rendit, dhe në mes të ditës, në mes të kryeqytetit grabitet argjendaria, e plagoset pronarja. Kronika e zezë ka mbushur ekranet, po veç kësaj, statistikat zyrtare tregojnë realitetin e dështimit të madh të Edi Ramës e Saimir Tahirit me rendin dhe sigurinë publike”, deklaroi deputeti demokrat.
Ai tha më tej se ka pasur përkeqësim, krahasuar me qershorin e këtij viti, pasi 3 persona më shumë kanë humbur jetën nga vrasjet, por gjithashtu janë përkeqësuar edhe aksidentet, duke qenë se korriku u mbyll me 12 më shumë, dhe për pasojë 3 viktima më shumë se sa qershori.
“Përkeqësim, pasi është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve të banesave dhe vjedhjeve me armë dhe me dhunë. 121 vjedhje banesash në korrik, 23 vjedhje me dhunë, dhe 11 vjedhje me armë. Përkeqësim i sigurisë në rrugë dhe në ambiente publike, pasi për korrikun ka 13 plagosje me armë më shumë se sa në qershor, dhe 14 raste dhune fizike më shumë se sa në qershor”, deklaroi Ristani.
Ai tha se ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe i sigurisë në vend, bilanc i cili përkeqësohet nga muaji në muaj dhe që prek çdo ditë qytetarët e vendit.
“Teksa pasiguria rrihet, Rama dhe Tahiri krihen para reklamave qeveritare. Shfaqjet e Edi Ramës janë përralla që nuk e mbulojnë dot këtë dështim monumental të qeverisë në detyrimin kryesor të saj që është rendi dhe siguria”, përfundoi deklaratën e tij deputeti demokrat, Arben Ristani. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





