Transmetuar më 08-08-2014, 17:16

Tiranë, 8 gusht 2014, NOA.al – Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, u shpreh se kjo qeveri po kërkon që situata e cilësisë së mësimdhënies në universitete të jetë krejtësisht tjetër nga kjo aktuale.

“Duam që situata e cilësisë të jetë krejtësisht tjetër, duke u dhënë krahë të gjitha ëndrrave të familjeve dhe studentëve shqiptarë. Tarifat e reja do të jenë 20 mijë lekë dhe 45 mijë lekë, një rritje mesatare me 17 lekë në ditë. Kemi respektuar kërkesat që vinin nga të gjitha IAL-të publike, por jo në masën e kërkuar prej tyre, por në atë të lejuar. Kjo rritje do të kthehet në rritje të cilësisë nesër”, tha gjatë një konference, ministrja Nikolla.

Ajo bëri të ditur se vetëm 72%  maturantëve që u përfshinë në maturën shtetërore këtë vit, ia dolën me herën e parë. “Janë 1655 studentë me mesataren mbi 9 dhe 19 949 me mesatare mbi 6 e deri në 9. Këto rezultate do të na mësojnë një histori të re drejt cilësisë, duke nisur me një prioritet të ri, që në arsimin parashkollor”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, janë dhënë kuota më shumë se sa ishin nevojat. Lindita Nikolla u shpreh se procesi i administrimit ka qenë anarshi në vitet e kaluara. Ajo tha se kjo është bërë për të hapur dyert e universiteteve dhe për të cenuar cilësinë akademike dhe të diplomave, duke ushqyer një ëndërr të parealizuar me sukses.

“Ne kemi zgjedhur një komunikim të ri dhe për këtë janë dëshmitarë stafet akademike, studentët, rektoratet dhe prindërit. Ne nuk firmosëm qorrazi çdo kërkesë, por shqyrtuam me kujdes historinë e gjithë këtyre viteve në degë të caktuara. Kemi mbyllur filiale që rezultonin me mesatare të papranuara. Ne drejtuam gishtin nga vetja dhe mbajtëm përgjegjësi vetëm përmes të vërtetave”, deklaroi ministrja.

Në lidhje me Universitetin e Gjirokastrës, ajo informoi se do të mbyllen vetëm disa filiale dhe jo i gjithë universiteti. “Nuk do të mbyllet por nuk do të ketë kuota për ato profile që nuk do të kenë më pak se 10 studentë. Universiteti i Gjirokastrës do të vijojë duke u zhvilluar me cilësi dhe duke u mbështetur nga qeveria. Kriteret e ligjshmërisë nuk janë sajuar, as nuk janë kopjuar standarde nga vendet e tjera, por iu referuam ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri”, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla./a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit