
Tiranë, 8 gusht 2014, NOA.al- Ish-Kryeministri Sali Berisha, e cilësoi si ofensivë dhe sulm të paimagjinueshëm të babëzisë dhe injorancës ndaj sistemit të arsimit lartë në Shqipëri, vendimin e qeverisë për mbylljen e 18 universiteteve.
Në një bashkëbisedim me gazetarë, ai e cilësoi Kryeministrin Edi Rama si një njeri me arsim gjysmak, i cili nga klasa e parë në të fundit nuk ka marrë asnjë koncept të saktë përveç bojrave.
Sipas Berishës, kreu i qeverisë me një të rënë të lapsit vendosi të mbyllë dyert e universiteteve publike për 1/3 e maturantëve të Shqipërisë si dhe të ulë përqindjen e pranimit në universitete nga 72% që ishte në 43%.
Ai tha se universitetet janë akt social për ata të cilët deri disa vite më parë e kishin arsimin e lartë si mollë të ndaluar, duke shtuar se nevojitet hapja e një kapitulli të ri që respekton ëndrrën universitare.
Referuar tarifës vjetore për arsimin e lartë, Berisha shtoi se kjo tarifë u rrit në mënyrë të padrejtë, ku krahasuar me rrogën mesatare tarifa e Shqipërisë del më e larta në Europë. Ai kujtoi se gjatë qeverisjes së tij u hoq TVSH, për arsimin privat, duke bërë me dije se i rezistoi presionit të tyre për uljen e kuotave të pranimit në universitetet publike.
Referuar vjedhjes në Bankën e Shqipërisë ai tha se inkurajon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe se Prokuroria ka të gjithë instrumentat për të vërtetuar përgjegjësinë e secilit./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





