
Tiranë, 7 gusht 2014, NOA.al – Deputeti i Partisë demokratike, Oerd Bylykbashi është shprehur në një deklaratë për mediat se drejtësia shqiptare po gjunjëzohet para presioneve të paprecedenta të Edi Ramës.
“Prej një muaji, mbahet me arrest në burg, kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, i cili akuzohet nga prokuroria për të njëjtat shkelje që akuzohet dhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, por ky i fundit është çdo ditë i lirë”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, aplikimi i dy standardeve nga gjykatat, masën më të fortë për të zgjedhurin demokrat, dhe masën më të butë për të zgjedhurin socialist, është një kambanë alarmi për drejtësinë në vend, dhe për gjunjëzimin e saj para presioneve të paprecedenta të Edi Ramës.
“Kryeministri ka arritur deri aty sa të marrë drejtpërdrejt në telefon gjykatësit për çështje të ndryshme, por me ligjin që kaloi së fundmi në parlament, të gjithë togat e zeza janë të kërcënuara dhe të orientuara për të dhënë drejtësinë që do Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat.
Bylykbashi tha se në rastin e kryetarit të Komunës së Rrashbullit, është aplikuar masa më e ashpër e mundshme, edhe pse ai nuk është në rrethanat e ikjes nga vendi, apo të prishjes
së provave, duke qenë se provat tashmë janë administruar nga prokuroria.
“Gashi ka një gjendje të rënduar shëndetësore, rrethanë që gjykata e mban parasysh kur jep masën e sigurisë. Për të zgjedhurin demokrat, drejtësia jep masën e sigurisë që duhet të aplikohet ndaj kriminelëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërkohë që për fatin e keq të vendit dhe të demokracisë, kriminelët me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë tashmë edhe në parlament, dhe janë ata që do të vendosin për gjyqtarët”, deklaroi Bylykbashi.
Ai përfundoi deklaratën për media duke u shprehur se Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjyqtarëve që të garantojnë parimin e barazisë para ligjit për çdo shtetas të Republikës dhe të të drejtave të tyre procedurale, në respekt të një procesi te drejtë ligjor. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





