Transmetuar më 07-08-2014, 15:47

Tiranë, 7 gusht 2014, NOA.al- Ish Kryeministri Sali Berisha është shprehur se dyshja Rama-Meta, pas krijimit të firmave të tyre të ndërtimit private, po krijojnë edhe universitetet e tyre private.

“Rama – Meta dhe qeveritaret e tyre, njëlloj siç kanë krijuar kompanitë e ndërtimit për punët publike apo siç bllokuan lojërat e fatit për t’ua dhënë familjarëve dhe sojit të vet, po krijojnë tani universitetet e veta private”, shkruan Berisha në Facebook.

Ai e mbështet idenë e tij në tre shtylla kryesore që i argumenton si më poshtë:

– Së pari, vendimin e Ramës për të ulur kuotat për 11 mijë vetë në universitetet publike. Theksoj këtu se 8 vite në pushtet universitetet private kanë bërë presion për uljen e kuotave në universitetet publike natyrisht në interes të tyre. Por ndonëse kanë patur mbështetjen e pakursyer të qeverisë, me heqjen e TVSH, miratimin e ligjit "tokë për shkollë" etj, kjo kërkesë nuk është pranuar asnjëherë.

-Së dyti, mbyllja në një ditë të 31 shkollave të arsimit të lartë, nxjerrja në rrugë e 7800 studentëve është hapje e hapësirës për simotrat ku qeveritarët kanë vendosur aksionet e tyre dhe licensimin dora dorës të universiteteve të tyre.

– Së treti, vetë zëdhënësja e Ramës për arsimin Nikolla deklaroi publikisht se Ministria do të rregullojë në universitetet publike dhe private studentët që ju mbyllen shkollat. Natyrisht qeveria mund të rregullojë në universitete publike, por me sa duket ka arritur një marrëveshje korruptive me universitete private ku Rama – Meta kanë aksione për të dërguar studentët e universiteteve, të cilat u mbyllën pa paraqitur as dhe nëe arsye të vetme ligjore.

Berisha ka bërë të ditur që në fillim se është në favor të qëndrimeve të rrepta ligjore dhe ndëshkimit ndaj çdo abuzimi në fushën e arsimit të lartë, sikundër jam i sigurt se abuzime të papranueshme ka patur, ka dhe do ketë si në universitetet private ashtu dhe në ato shtetërore dhe ato duhet ndëshkuar.

“Të godasësh në një ditë të vetme 31 institucione të arsimit të lartë, shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, disa prej të cilave ndër më seriozet, duke mos paraqitur publikisht asnjë fakt për shkelje ligji nga ana e tyre, dëshmon qartë se po vepron kryekëput në mënyrë korruptive dhe vetëm korruptive, njëlloj si me licencat e hidrocentraleve që i heq për t’i dhënë me rryshfet nga e para”, shkruan ish kryedemokrati në Facebook.

Ai bën me dije se në praktikën botërore, rruga e vlerësimit të performancës së universiteteve dhe heqjes së licencave është rating-u nga kompani të pavarura. Berisha ka informuar edhe një herë se Shqipëria, 3 vjet më parë realizoi rating-un e parë dhe ka kujtuar se Rama premtoi që do ta bënte atë që vitin e parë, por sipas Berishës, babëzia e detyroi të zëvendësojë rating-un me kleringun, fund e krye korruptiv.

“Ju bëj thirrje të rinjve shqiptar të ngrihen në protesta të fuqishme kundër klikës Rama – Meta që po shkatërron të ardhmen e tyre”, përfundon shkrimi i ish kryeministrit Sali Berisha në Facebook./a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit