Transmetuar më 07-08-2014, 14:25

Skrapar, 7 gusht 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbyll fushatën zgjedhore brenda partisë, me kuvendet e Skraparit dhe Kolonjës

Gjatë këtyre takimeve Basha u ndal tek gjendja që po kalon vendi, për të cilën tha se pasiguria për jetën është rritur, situata ekonomike është më e rëndë se asnjëherë më parë, taksa të larta, mungesë investimesh, mbyllje të vendeve të punës, sikundër shtresat në nevojë, në këto 300 ditë nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga shteti.

Ai tha se krahas pasurive të qytetarëve, tashmë qeveria u është turrur dhe lirive të tyre.

“Gjendja është më skandaloze se kurrë. Nuk u janë turrur vetëm pasurive të shqiptarëve. Tani u janë turrur dhe lirive të shqiptarëve. Shikoni vendimin e fundit për të regjistruar atë që kushërira ministre na thotë! – Aq sa mund të gjendet shoferi nga shasia, aq mund të gjendet dhe përdoruesi i celularit nga IMEI. IMEI është kodi unik i aparatit të celularit, me anë të së cilit përcaktohet vendndodhja, bëhet i mundur gjurmimi dhe përgjimi i aparatit celular. Kë gënjen, se këtë edhe një fëmijë i klasës së katërt e gjen?! Dhe ti del aty e pasi e ke marrë këtë masë tërësisht të paligjshme, del dhe i mashtron shqiptarët. Të gjithë energjinë dhe paranë e taksapaguesve e përqendrojnë tek propaganda. Kanë mbirë në ekran si Fidel Kastro moti, me fjalime nga 2-4 orë para nëpunësve, që në fakt paguhen për të qenë në punë dhe jo për të dëgjuar sundimtarin që u flet aty”, u shpreh kreu i PD.

Ai u ndal edhe në vendimin e qeverisë për reformën në arsimin e lartë, për të cilën tha se ka shkaktuar konfuzion dhe pasiguri tek çdo qytetar, student apo prind, duke shtuar se është vendosur e tëra në shërbim të klientelës dhe monopoleve.

“Le të ndalemi tek e ashtuquajtura reformë në arsim që nuk është gjë tjetër, veçse një tjetër përpjekje për t’i shërbyer klientelës dhe monopoleve, për të instaluar skema korrupsioni gjigand në një nga sektorët më jetikë për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve, studentët. Konfuzioni, pasiguria që kanë shkaktuar, çfarë thonë sot, nuk e thonë nesër, do mbyllen filialet, pastaj dalin dhe thonë jo do të rrinë hapur por vetëm për ata që po studiojnë, pastaj thonë që edhe ata që studiojnë do transferohen. Po për çfarë po flasin, se dhe po të flisnin për bagëti do të kishin pak më shumë përgjegjshmëri”, tha Basha./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit