
Tiranë, 7 gusht 2014, NOA.al- “Arrest me burg” është masa e sigurisë e dhënë nga Gjykata e Tiranës, për ish-drejtorin e Thesarit në Linzë, Dorian Çollaku.
Çollaku i cili akuzohet për shpërdorim detyre u vetëdorëzua paraditen e djeshme në polici, duke çuar në dhjetë numrin e personave të arrestuar, si të përfshirë në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.
Në argumentin e Prokurorisë thuhet se ish-drejtori i Thesarit, bazuar në një vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të vitit 2012, kishte për detyrë të ndërmerrte nismat për nxjerrjen e akteve nënligjore, rregulloreve dhe udhëzimeve përkatëse për funksionimin e departamentit që drejtonte, por Çollaku nga janari i vitit 2013 e deri në mars 2014, nuk ka ndërmarrë asnjë nismë të tillë, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për abuzime.
Vjedhja në Bankën e Shqipërisë u zbulua gjatë kohës kur një komision i ngritur nga Banka e Shqipërisë, do të bënte inventarizimin e parave që ishin nxjerrë nga qarkullimi apo atyre që ishin gati të hidheshin në qarkullim.
Si përgjegjës për këtë vjedhje u arrestuan dy punonjësit e BSH, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.
Puna e organeve hetimore nisi në momentin kur Ardian Bitraj rrëfeu përpara komisionit të ngritur nga Banka për kontrollin e sasive të parave të stokut, se bashkë me kolegen e tij, Mimoza Burzia, kanë nxjerrë shuma të konsiderueshme parash nga sektori ku ai punonte.
Bitraj, në bashkëpunim me Bruzian nxirrte nga sektori i Arkës Stok, shuma të konsiderueshme lekësh që ishin bërë gati për t’u hedhur në qarkullim dhe të tjera që ishin bërë gati për t’u asgjësuar./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





