Transmetuar më 05-08-2014, 16:08

Tiranë, 5 gusht 2014, NOA.al- Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me kodin IMEI, të telefonave celularë.

Në fjalën e saj Harito tha se sa më shumë flet Lulzim Basha, aq më shumë rritet keqardhja për katandisjen e Partisë Demokratike në një teatër kukullash, ku mekanikisht recitohet kënga e vjetër e pushtetit që iku me turp.

“Pretendimi për gjoja kontrollin e të dhënave të qytetarëve përmes celularëve është pjesë e propagandës së vjetër, që ngre akuza për të përbaltur kundërshtarin ose, edhe më keq, është rrjedhojë e budallallëkut që karakterizon të paaftit, kur duan edhe ata të thonë fjalën e tyre. Qeveria nuk ka asnjë punë me të dhënat personale të qytetarëve, por qeveria ka detyrë të luftojë kontrabandën e celularëve dhe qeveria ka gjithashtu, detyrë që për çdo aparat celulari që hyn në Shqipëri të paguhet taksa përkatëse. Kodi IMEI, i famshmi kodi IMEI nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e komunikimit. Është vetëm një kod makineri, si me thënë një kod i shasisë së makinë apo një numër serie i një kompjuteri. Është njëlloj si të thuash që nëpërmjet kodit të shasisë së veturës, qeveria kontrollon cili është shoferi”, u shpreh Harito.

Sipas saj, kjo është e vërteta e thjeshtë dhe kjo masë e qeverisë shkon në drejtim e përcaktuar nga vetë shqiptarët në 23 qershor, Rilindje dhe jo rrënim; barazi para ligjit dhe jo tjetër ligj për të fortët dhe tjetër ligj për të dobëtit; shtet i fortë dhe jo atdhe pa shtet.

Harito deklaroi se Basha është i zoti për fjalë boshe, duke thënë se për këtë mjafton të pyeten ata që e votuan për kryetar bashkie të cilët do tregojnë se përveç llafeve, asgjë nuk panë prej tij, në këto tre vjet./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit