
Tiranë, NOA.al – Sipas MeteoAlb, dita do të nisë me vranësira dhe intervale kthjellimesh. Vranësira më të dendura do të kenë zonat Veriore duke rrezikuar shira të dobët. Në mesditë vranësirat do të fuqizohen dhe për pasojë shirat do të shtrihen nga Veriu drejt Qendrës të territorit.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira të dobët në pjesën më të madhe të vendit, por shirat do të jenë të karakterit lokal dhe të përkohshëm. Duke iu afruar orëve të mbrëmjes, kushtet e motit do të përmirësohen duke bërë që vendi të karakterizohet kryesisht, nga kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Temperaturat e ajrit gjatë mëngjesit do të qëndrojnë konstante ndërsa mesdita do të sjellë 3 – 4 gradë rënie të temperaturave në vend.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, duke arritur shpejtësi maksimale deri 50 km/h nga drejtimi Perëndimor-Jugperëndimor, për pasojë në det do të gjenerohet dallgëzim deri në 4 ballë.
Europa
Zona e Alpeve dhe i gjithë gadishulli Ballkanik do të mbeten nën dominimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut. Herë pas here, do të ketë stuhi të forta ere duke bërë që shirat të bien në formë rrebeshi.
Po ashtu, vranësira dhe shira do të ketë në ishujt Britanike si edhe vendet Nordike si pasojë e zhvillimit të një qendre ciklonare në Veriperëndim të Europës, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të dominohet nga moti i kthjellët. Gjatë mesditës do të ketë kalime vranësirash të lehta nëpër kontinent. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





