Transmetuar më 02-08-2014, 11:45

Tiranë, 2 gusht 2014, NOA.al – Partia Demokratike, përmes deputetit Arben Ristani, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po krijon një prokurori paralele.

“Dyshja oligarke, krijoi dy ditë më parë në Kuvend, një Prokurori Paralele, duke miratuar të ashtuquajturën, Byro Kombëtare të Hetimit. Ky instrument, pra Byroja Kombëtare e Hetimit, është një tjetër hap i Kryeministrit për të kapur institucionet dhe kontrolluar pushtetet e pavarura”, tha Ristani.

Ai deklaroi se në seancën e fundit të Kuvendit, përveç zullumeve të tjera, spikati arroganca dhe forca e mazhorancës për të kontrolluar drejtësinë. Sipas tij, Rama dhe Meta, i hapën rrugë nënshtrimit të gjyqësorit, kontrollit të KLD dhe spostimit të prokurorisë.

“Aty ku kapja nuk mund të bëhet drejtpërdrejt, si në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, e shmang atë duke sjellë në jetë me nxitim, një strukturë paralele tërësisht nën urdhrat e ekzekutivit. Byroja Kombëtare e hetimit është një sajesë anti-kushtetuese, që oligarkia do ta përdorë si një kamxhik dhe këmishë force, për rivalët dhe kundërshtarët e saj në politikë e kudo. Sipas Kushtetutës sonë, hetimet në këtë vend ende demokratik, drejtohen dhe zhvillohen vetëm nga Prokuroria”, deklaro deputeti demokrat.

Ristani tha se oligarku megalloman kërkon të jetë ai që edhe heton edhe gjykon, edhe bën ligjet ndaj, byroja e tij e hetimit, është sot, thjesht një konfirmim më shumë, i rrugës së Edi Ramës për të rilindur në vend byronë e dikurshme politike që kontrollonte gjithçka dhe jeta e liritë e njeriut nuk ekzistonin.

“Partia Demokratike do të ndjekë të gjitha rrugët politike dhe ligjore për të mos lejuar instalimin e kësaj oligarkie mafioze Rama-Meta si një rrezik ekstrem për demokracinë dhe qytetarët”, përfundoi deklaratën e tij në emër të PD-së deputeti Arben Ristani. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit