
Planet e drejtuesve të Realit të Madridit, për të rinovuar stadiumin “Santiago Bernabeu” pezullohen për momentin nga Gjykata e Lartë Spanjolle, për shkak të një hetimi të hapur nga Komisioni Evropian, ku supozohet se klubi madrilen është përfshirë në afera korruptive, citon Supersport.
Iniciativa spektakolare e këtij klubi për të rinuar stadiumin aktual mori një goditje të rëndë pas hetimit të kësaj çështje nga Bashkimi Europian, që pretendon se klubi mbretëror është ndihmuar publikisht në mënyrë të paligjshme.
Drejtuesit e Realit bënë të ditur në muajin janar projektin e tyre të ri, një projekt tepër i veçantë për rinovimin e stadiumit “Bernabeu”, përfshirë këtu edhe një qendër tregtare dhe një hotel, në një zonë 12.250 metra katrorë, mbi sipërfaqen e një zone ku gjysma e së cilës është krejtësisht e lirë, gjithçka sipas një marrëveshjeje të arritur kohë më parë.
Për aprovimin e një plani të tillë, në vitin 2011 Bashkia e Madridit miratoi shumë ndryshime në Planin e Përgjithshëm të Urbanizimit të kësaj pjese të qytetit, sidoqoftë Komisioni Europian nisi hetimet mbi një favorizim të mundshëm dhe asistencë të paligjshme të qeverisë ndaj këtij klubi.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një grup ekologjistësh bëri gjithashtu një ankesë zyrtare ndaj qeverisë, ku thuhej se drejtuesit e Realit kanë shkelur marrëveshjen e mëparshme për të ndërtuar në vitin 1991 një parking të nëndheshëm si dhe një nënkalim, që bën të mundur futjen e tifozëve drejt e në stadium.
Në një komunikatë të grupit të ekologjistëve “Accion Aedenat” shkruhet se klubi nuk e përmbushi kurrë premtimin e bërë dhe për më tepër i detyrohet qeverisë një shumë prej 2.8 milionë Eurosh.
Gjykata e Lartë Spanjolle arriti në përfundimin, që hetimi i Komisionit Europian ofron arsye të mjaftueshme për të ndalur projektin prej 400 milionë Eurosh të klubit madrilen.
Vetë Bashkia e kryeqytetit, ditën e premte hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë me një komunikatë për shtyp ku shkruhej se marrëveshja ndërmjet Realit të Madridit dhe Bashkisë së këtij qyteti, që është bërë shkak për hapjen e hetimit nga Komisioni Europian, nuk ka aspak të bëjë me modifikimin e planit rregullues të zonës, prandaj nuk ka kuptim që të frenohen ndryshimet e miratuara, pasi nuk kanë lidhje me marrëveshjen e arritur më parë mbi pronësinë e tokës.
Drejtuesit e Realit tashmë kanë vetëm 10 ditë kohë për të apeluar zyrtarisht vendimin e Gjykatës së Lartë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





