Transmetuar më 01-08-2014, 18:22

Elseid Hysaj bëhet gati për debutimin në Serinë A, citon Supersport. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, që aktivizohet në radhët e Empolit ishte protagonisit në fitoren 4-0 në ndeshjen përgatitore ndaj Scandiccit.

Pavarësisht kundërshtarit modest, 20-vjeçari tha se sfida të tilla ndihmojnë për të gjetur formën optimale në prag të sezonit të ri.

“Unë ndihem mirë, jam shumë i uritur dhe mezi po pres të fillojë sezoni i ri. Për mua do të jetë kampionat i parë në Serinë A. Duhet të luajmë me përulësi dhe falë grupit të sezonit të kaluar mendoj se do të shpëtojmë.

Por duhet dhënë maksimumi në çdo ndeshje. Ne jemi të gjithë të rinj për një kampionat si Seria A, megjithatë kemi gatishmërinë të përballemi denjësisht që në ndeshjen e parë në Udine, pastaj në të dytën kundër Romës në shtëpi”.

I pyetur për emrat që u druhet më shumë në Serinë A, Hysaj u përgjigj. “Unë i vlerësoj të gjithë, por në qoftë se duhet të them dy emra po përmend Gervinho dhe Iturbe.

E them këtë për shkak se janë të dy sulmues të jashtëm shumë të fortë. Sidoqoftë, mezi pres momentin të përballem me ta në ndeshjen e parë në Seria A, në shtëpinë tonë”.

Hysaj pritet të grumbullohet nga Gianni De Biazi që në ndeshjen e parë eliminatore me Portugalinë në transfertë më 7 shtator.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit