
Shkëlqim Muça apo Mirsad Jonuz, cili do të jetë trajneri i Kukësit për sezonin e ardhshëm?
Presidendi Safet Gjici është në një dilemë të madhe, pasi kërkon të marrë vendimin më të mirë për skuadrën e tij, që sezonin e ardhshëm do të futet në garë me synimin kryesor, titullin kampion, citon Supersport.
Emërimi i trajnerit të ri lidhet drejtpërdrejt me objektivat e verilindorëve, pasi Gjici është gati të investojë për postin e trajnerit vetëm për një qëllim madhor.
Në takimin e zhvilluar mes palëve, çështjet ekonomike kanë kaluar në plan të dytë, pasi biseda është përqendruar kryesisht në anën sportive.
Gjithçka ka mbetur e hapur për ditët në vijim, madje trajnerit maqedonas i është dhënë më shumë kohë për të njohur skuadrën, që të jetë i bindur kur të pranojë sfidën për të dalë kampion.
Ndërkohë alternativa “Muça” po bëhet gjithnjë e më serioze, pavarësisht se ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës është emëruar provizorisht pasues i Agim Canajt, pasi mban postin e drejtorit teknik.
Afrimi i Hair Zeqirit si dhe ndonjë blerje tjetër cilësore e minutës së fundit mund ta bindin 54-vjeçarin, për ta marrë përsipër drejtimin e skuadrës përgjatë gjithë sezonit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





