Transmetuar më 01-08-2014, 14:08

Nëse jeni të lodhur nga konsumimi  i produkteve të paketuara dhe doni të konsumoni gjatë zemrës apo për mëngjes diçka natyrale dhe të freskët, të bërë nga vetë ju, këshillohet të përdorni një komposto pjeshke.

Kjo komposto është një shoqëruese ideale e akullores apo kremrave të ndryshëm si pana kota, bavareze me pjeshke etj, dhe muajt korrik-gusht janë më të përshtatshmit për pregatitjen e tyre. Kjo për arsye se tani pjeshkat kushtojnë më pak, janë të verdha, të forta dhe me aromë të këndshme.

Përbërësit për dy kavanozë nga 500ml

1kg pjeshkë të verdha dhe të pjekura mirë

1l ujë

400gr sheqer

lëngun e 2 limonëve

Lajmë pjeshkët nën ujë të rrjedhshëm, i qërojmë, i ndajmë në dy pjesë duke i hequr bërthamën, i kalojmë në lëngun e limonit dhe i vendosim në kavanozat e sterilizuar.

Ndërkohë pregatisim shurupin duke ziere për 10-15 minuta ujin me sheqerin derisa ky i fundit të këtë shkrirë plotësisht. Kur të jetë gati, e hedhim mbi pjeshkët në kavanoza duke lënë 3-4cm hapësirë nga kapaku, i tundim pakëz kavanozat në mënyrë që të eliminohen flluskat e ajrit, i mbyllim në mënyrë hermetike dhe i kthejmë përmbys mbi një platformë druri derisa të ftohen plotësisht.

Pasi kavanozat janë ftohur, i mbështjellim me një pecetë kuzhine (në mënyrë që gjatë zierjes mos të thyhen duke u takuar me njëri-tjetrin) dhe i ziejmë për 30-45 minuta brenda një tenxhereje me ujë duke patur kujdes që kavanozat të jenë zhytur plotësisht në ujë. Fikim zjarrin dhe i lëmë të ftohen në tenxhere. Më pas i nxjerrim nga uji, i thajmë, i vendosim një etiketë dhe i vëmë në një vend të errët, por të freskët. Komposto me pjeshkë duhet konsumuar një muaj pas pregatitjes duke e ruajtur më pas në frigorifer./a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit