Transmetuar më 01-08-2014, 13:33

Tiranë, 1 gusht 2014, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se harta e votuar dje në Parlament është antikushtetuese dhe e papranueshme. Ai tha se nëpërmjet këtij veprimi, mazhoranca injoroi thirrjet e SHBA dhe gjithë Europës për gjithëpërfshirje dhe konsensus.

“Injoruan thirrjet e SHBA dhe Europës për gjithëpërfshirje dhe konsensus. E nisën dhe e përfunduan së prapthi, jo nga themeli, por nga fundi, duke dëshmuar se hartën, territoret, pasuritë dhe dozën e pushtetit i kishin në mendje si konkuistatorë”, tha Basha.

Ai shtoi se këtë reformë e nisën në kundërshtim të Kushtetutës, e cila kërkon mendimin e qytetarëve. Për Bashën, u thye ligji themeltar i shtetit, duke vënë shtetin e orekseve personale mbi shtetin ligjor.

“Qytetarët po pyesin: “Si është e mundur? Si mund të shkelet Kushtetuta? Si mund të anashkalohen interesat e banorëve? Të gjithë e paskan gabim. Edhe opozita, edhe qytetarët, edhe shoqëria civile, edhe partnerët kombëtarë, edhe Kushtetutën. Vetëm dyshja Rama-Meta se paska gabim”, tha gjatë fjalës së tij kreu i partisë më të madhe opozitare ne vend.

Sipas tij, interesi kleptokratik për përfitim personal është i dukshëm në këtë hartë, të cilën Basha e cilësoi si “të vizatuar si bishtin e garuzhdes”. Ai tha se kjo ishte arsyeja që qeveria mbylli sytë dhe u investua kundër Kushtetutës, kundër qytetarëve që u derdhën rrugës.

“Kjo tregon se krimi është një mënyrë mafioze e të menduarit dhe të vepruarit të kësaj shumice. Dje dhe sot ata kanë pushtuar ekranet duke thërritur: “Jemi krenarë”. Për çfarë janë krenarë këta? Që votuan për një hartë pa miratimin e opozitës? Që përdorën disa fshatra në veri e në jug si plaçkë tregu, për interesat e tyre klienteliste dhe të paskrupullta?”, pyeti Lulzim Basha.

Ai tha se që në fillim Partia Demokratike ka mbështetur nevojën për një reformë administrativo- territoriale.

“Në kërkuam që decentralizimi të printe dhe ndarja territoriale të ndiqte. Përmes aktit të djeshëm kanë goditur në themel bashkëjetesën demokratike. Sot është një ditë e zezë, por nuk do të ngelet si e tillë. Harta antikushtetuese është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë. Fjala e fundit është e qytetarëve, që kanë të drejtë të shprehen dhe të vendosin veprimin e Kushtetutës. Ne besojmë në reagimin pa kompromis të qytetarëve. Ne do të jemi me ta dhe do t’i mbështesim pa kusht”, tha Basha./a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit