
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar përfundimin e punimeve në segmentin e 3-të të aksit të autostradës me tunel Elbasan – Tiranë.
Haxhinasto e ka cilësuar si një nga rrugët e standardeve ndërkombëtare autostradën me tunel Elbasan – Tiranë, ndërsa ka premtuar se “ brenda këtij viti do të përfundojë i gjithë segmenti rrugor nga dalja e tunelit deri në Tiranë”.
Haxhinasto i ka bërë thirrje banorëve të zonës që ta mirëmbajnë këtë rrugë, të mos dëmtojnë sinjalistikën si dhe mbrojtëset anësore të saj.
“ Është një investim me paratë tuaja dhe që ju shërben ju”, tha Haxhinasto, ndërsa shtoi se “ janë dhjetëfishuar penalitetet për dëmtuesit e rrugës, çka ka ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve rrugore deri në 15 për qind”. Duke u ndalur tek dhënia me koncesion e rrugëve Haxhinasto tha se “ kjo do të bëjë që të gjitha rrugët e vendit të jenë me këto standarde ashtu si edhe kjo rrugë. Mirëmbajtja e rrugëve ka një kosto shumë të lartë, që do të thotë se ne do të ndjekim praktikat më të mira ndërkombëtare”.
Për shkak të punimeve të segmentit të 3-të të këtij aksi të rëndësishëm rrugor jo vetëm për qarkun e Elbasanit, gjatë muajit korrik, firma që kryen punimet, e mbylli atë dy herë duke bërë të mundur që punimet të përfundonin brenda afatit të caktuar që ishte data 1 gusht.
Punimet për rrugën me tunel Elbasan – Tiranë nisën në vitin 2011, dhe në vitin 2013 kjo rrugë u hap vetëm me një korsi, çka shkaktoi edhe vonesa në përfundimin total të këtij aksi rrugor.
Rruga Tiranë – Elbasan me tunel, është segmenti më i rëndësishëm i korridorit të 8-të dhe segmenti kryesor i korridorit të jugut. Kjo autostradë shkurton ndjeshëm distancën e lidhjes së Tiranës me të gjitha qytetet e tjera në juglindje të vendit.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i përgjigjet gazetarëve pasi ka inspektuar sot përfundimin e punimeve në segmentin e tretë të rrugës Tiranë-Elbasan e gjatë 11 km.
Kur hapet rruga e mbyllur sërish këto ditë?
“Sot hapen të dy karrexhatat të cilat janë sipas standardit më të lartë të rrugëve që ka Shqipëria si për sa i takon gjerësisë ashtu edhe elementeve të sinjalistikës dhe të sigurisë. Kjo është një rrugë model e cila vendos edhe standardin që do të reflektohet në të gjithë rrugët që do të përfundojnë në Shqipëri”, tha Haxhinasto
Ёshtë shumë e rëndësishme që kjo rrugë ti shërbej sa më mirë jo vetëm lidhjes midis Tiranës dhe Elbasanit por edhe komunave përgjatë saj me qëllim që impakti të jetë sa më pozitiv për të gjithë banorët e kësaj zone. Përfitoj nga rasti të bëj edhe një thirrje shumë të rëndësishme për të gjithë banorët e kësaj zone që të kenë një kujdes të veçantë për rrugën dhe për sinjalistikën, jo vetëm për faktin se rruga është bërë me parat e taksave që ata kanë paguar, por edhe për një arsye tjetër madhore pasi çdo dëmtim i rrugës, ndërhyrje e paligjshme në të apo dëmtim i sinjalistikës është me pasoja fatale për jetët e njerëzve dhe të përdoruesve të rrugës. Prandaj dëshiroj ta përsëris me gjithë forcën e zërit këtë thirrje që të ruhet kjo rrugë pasi është pronë e të gjithëve dhe duhet t’i shërbejmë asaj me qëllim që shërbimi që ofron kjo rrugë të jetë sa më i sigurt me qellim qe asnjë qytetar shqiptarë të mos dëmtohet duke përdorur këtë rrugë, tha ai.
Po nëse vijon të dëmtohet siç ka ndodhur?
Në fakt Qeveria ka përgatitur një plan masash, i ka 10-fishuar penalitetet për dëmtuesit e rrugës si dhe ka filluar një fushatë ndërgjegjësimi për publikun, të gjitha masa që kanë pasur një rezultat shumë pozitiv në uljen e aksidenteve në rrugët e Shqipërisë. Ato kanë rënë tashmë prej 15%. Pavarësisht nga masat ligjore apo penalitetet besoj se roja më e mirë e pronës publike është ndërgjegjja qytetare dhe prandaj e bëj këtë thirrje sepse në fund të fundit ndërgjegjja qytetare është ajo që do ta ruaj këtë vepër të rëndësishme si edhe rrugët e tjera të vendit me qëllim që të gjithë shqiptarët edhe ata që udhëtojnë në rrugët e Shqipërisë ta ndjejnë veten sa më të sigurt kur i përdorin ato.
A është kjo një nga rrugët që do të jepet me koncesion për sa i takon mirëmbajtjes?
Mirëmbajtja e rrugëve ka një kosto shumë te lartë dhe ne do të ndjekim praktikat më të mira botërore duke dhënë me konçesion mirëmbajtjen e rrugëve, sigurisht të rrugëve që janë vizibël që kanë mundësi të vendoset një marrëdhënie e tillë konçesionare, ndërsa për pjesën tjetër të rrugëve do të vazhdojë i njëjti model që ne kemi sot. Por duam ta lehtësojmë sa më shumë buxhetin e shtetit nga angazhimi për mirëmbajtjen e rrugëve me qëllim që fondet që ne i kemi t’i përdorim për të sjellë në këtë standard edhe rrugët e tjera të vendit, për ti përfunduar rrugët që janë në poçes ndërtimi dhe për të rritur elementet e sigurisë.
A ka patur ndonjë kërkesë për konçesion pasi vetëm para pak ditësh ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë edhe ligji për konçesionet ?
Po arsyeja pse ligji ka kaluar është shumë konkrete ka të bëjë më dhënien me konçesion të mirëmbajtjes të Rrugës së Kombit. Në fakt nuk është vetëm mirëmbajtje por edhe disa investime kapitale për ta përfunduar atë si rrugë. Unë besoj se do të jetë një proçes i suksesshëm i cili do ta sjelli atë rrugë në standardin më të lartë. Patjetër që mbas asaj do të vazhdojmë edhe me rrugët e tjera që ka vendi me qëllim që ky që shohim këtu sot të jetë standardi i të gjithë rrugëve kombëtare.
Kur do përfundojë segmenti Tiranë-Elbasan duke qenë se mbeten vetëm 11 km, a mund të quhet plotësisht e përfunduar?
Sipas planit në fund të këtij viti kjo rrugë do të përfundojë plotësisht. Dhe përfaqësuesit e kompanisë Aktor që i përshëndes për këtë cilësi punimesh. Ata janë të angazhuar plotësisht që kjo rrugë të përfundoj brenda këtij afati.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





