Transmetuar më 31-07-2014, 17:21

Partia Demokratike flet me nota kritike ndaj asaj që e cilëson ndërhyrje të kryeministrit në një proces gjyqësor ku dëshmitari i prokurorisë u zhduk në rrethana të paqarta.

Deputeti Oerd Bylykbashi doli pasditen e sotme para medieve dhe tha se nga dje Kryeministri i vendit ndodhet publikisht në një akuzë shumë të rëndë.

“Edi Rama akuzohet se ka ndërhyrë brutalisht në një seancë gjyqësore, në favor të të akuzuarit për vrasjen e oficerit të lartë të policisë, e gjitha kjo në këmbim të votës në parlament të vëllait të të pandehurit. Teksa procesi gjyqësor ka arritur kulmin, krejt papritur policia thotë se ka humbur kontaktet me dëshmitarin kyç, pra ka humbur dëshminë që është prova kryesore në këtë proces”.

“Edi Rama është gati të zhdukë një dëshmitar për të marrë favore politike”, – tha z.Bylykbashi, duke shtuar: “Me ndërhyrjen në procesin gjyqësor, Edi Rama ka vulosur përfundimisht rënien e shtetit ligjor në vend, dhe ka dekretuar sundimin e mafias, interesave dhe pazareve të tij me të.

Partia Demokratike i kërkon drejtësisë “të mos gjunjëzohet para këtij presioni dhe manipulimi”.

Opozita i drejtohet prokurorisë duke kërkuar që “të hetojë urgjentisht të gjithë mekanizmin mafioz të kësaj historie mafioze, përpara se shteti i së drejtës të marrë këtë goditje të rëndë”.

“Ndajmë me gjithë qytetarët shqiptarë tronditjen e thellë për këtë akt të paprecedent dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë që të hapë sytë përpara kësaj prove të re të bashkëjetesës së krimit me qeverinë Rama-Meta”, – përfundoi z.Bylykbashi. /a.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit