
Tiranë, 31 korrik 2014, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar si të jashtëligjshme marrëveshjen me CEZ dhe është shprehur se kjo kompani i detyrohet Shqipërisë një shumë prej 3 miliardë dollarësh.
“Qeveria Rama-Meta erdhi me idenë për të lënë mënjanë arbitrazhin dhe për të negociuar me CEZ. Një nga provat është edhe fakti se duke e dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë, Rama pranonte fajin e palës shqiptare. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar ishin në dispozicion të tij. Këto raporte që disponohen nga opozita dhe do të bëhen sot publike, thuhet se “Shqipërisë CEZ i detyrohet një shumë deri në 3 miliardë dollarë”, bëri me dije kreu i opozitës.
Basha tha se më 23 qershor 2014, kur ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga ministri i financave, paraqitën para shqiptarëve marrëveshjen me CEZ, ata nuk e njohën opinionin publik me termat e kësaj marrëveshjeve, por i gënjyen shqiptarët.
“Konflikti me CEZ ka nisur në tetor të vitit 2012. Në atë kohë qeveria kontaktoi një nga firmat më të njohura për të negociuar me CEZ. Në nëntor të vitit 2012, pas dështimit të negociatave, na këshilluan të heqim të dyja licencat e CEZ, t ngrinim një padi civile kundrejt kompanisë dhe na u rekomandua të ngremë edhe një padi penale ndaj stafit CEZ. U bë çdo përpjekje për të ndjekur këshillat e avokatit ndërkombëtar. Sipas këshillimit, nga ana e qeverisë së mëparshme u morën këto masa: CEZ iu hoqën licencat, u përgatitën procedura tenderuese për auditorë ndërkombëtarë, u paraqit kallëzimi penal ndaj stafit të CEZ-it etj”, tha Basha.
Ai bëri me dije se në media u publikua një letër, asnjë rresht të së cilës avokati nuk e rekomandonte qeverinë të bashkëpunonte me CEZ.
Kryedemokrati Basha shtoi më tej se në raport thuhet se CEZ nuk i shërbeu dhe nuk zbatoi kontratën, se e gjithë vlera e kompanisë ishte zeruar, se paratë e mbledhura nuk ishin investuar, por ishin shndërruar në parajsa fiskale, se CEZ shpërndarje kishte transferuar paratë tek CEZ mëmë, në mënyrë të jashtëligjshme.
“Qeveria i mban të fshehura këto raporte dhe keqpërdor emrin e avokatit kombëtar duke u përpjekur të manipulojë opinionin publik. Bërja publike e opinionit ligjor të avokatit kombëtar është një detyrim madhor i opozitës. Këto janë fshehur jo vetëm publikut por edhe deputetëve. Është hera e parë që një konflikt i këtyre përmasave të zgjidhet me negociata në fshehtësi të plotë, pa pjesëmarrjen e avokatit ndërkombëtar”, deklaroi më tej Basha.
Ai tha se krimi i dytë i kësaj marrëveshje ka të bëjë me pregatitjen për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk e ka këshilluar këtë qeveri. Këto janë faktet e fshehura nga sytë e qytetarëve, të fshehura nga opinioni publik dhe me gjasa, edhe ndaj deputetëve”, tha ai.
Në vijim, kreu i opozitës i bëri thirrje të gjithë deputetëve, të majtë e të djathtë, të mos e votojnë sot në parlament këtë marrëveshje. “Pa dyshim jemi kundërshtarë politikë, por ju keni detyrimin madhor para Kushtetutës, të mos bëni pjesë në këtë krim të përmasave kolosale, në këtë vjedhje, e cila nëse realizohet, ju bën përgjegjës. Ju bën përgjegjës të një vjedhje 10 herë më të madhe se vjedhja e Bitros në thesarin e Shqipërisë. Sot ështe koha që të gjithë të ndërgjegjësohemi për thellësinë kriminale që këtë megaskandal. Mos e votoni marrëveshjen me CEZ! Mos u bëni pjesë e këtij megaskandali. Kërkoni transparencën e plotë”, tha Basha. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





