
Lexoni më poshtë: Reagimi nga Elvis Çefa
Tiranë, 30 Korrik 2014 NOA.al – Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), depoziton në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal për ish Drejtorin e Përgjithshëm të AKKP-së, z. Elvis Çefa, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Z. Çefa akuzohet për konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 dhe neni 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Kallëzim penal është bërë edhe për shtetasin Shefqet Preza, përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Preza, për konsumimin e veprës penale, falsifikim të dokumenteve, të parashikuara në nenin 186 i Kodit Penal.
“Trashëgimtari ligjor i familjes Preza, Asim Haxhiallushi, nga verifikimet rezulton i afërm i familjes së ish Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa”, – tha për NOA.al, Alisa Demollari, zëdhënëse në ministrinë e Drejtësisë.
Ajo shtoi se ish Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij ka shkelur ligjin në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke sjellë pasoja negative për shtetin dhe duke i hapur rrugë abuzimit me pronën shtetërore.
Sipas dosjes së kallëzimit penal, është konstatuar zmadhimi i sipërfaqes së njohur në zonën e Ishmit, në Pyllin e Manzës, me 330 ha, në favor të familjes Preza.
Gjithashtu AKKP konstaton zmadhim të sipërfaqes së njohur në pyllin e Muzhlit dhe në pyllin e Bizës, në zonën e Ishmit Durrës, ku përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar 1220 ha, nga 220 ha të vërtetuara me dokument origjinë prone.
Parashikohet se sipërfaqja e njohur, e bazuar në dokumente të falsifikuara, të jetë 2000 ha dhe përllogaritet me një vlerë të përafërt 100 milion euro.
“Konstatohet se ish Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka patur dijeni për veprimet e realizuara nga subjektet e interesuara, përmes falsifikimit dhe mashtrimit në dëm të pasurive shtetërore, duke shumëfishuar sipërfaqet e njohura për familjen Preza”, – thuhet në denoncimin penal ndaj Elvis Cefës. /a.d/noa.al/
Reagimi nga Elvis Çefa
“Pasi u njoha me kallezimin penal te bere ne oret e vona te nates ndaj meje nga drejtuesit aktuale te AKKP, desheroj te sqaroj me pergjegjesi te plote opinionin publik se gjate kohes qe kam drejtuar ate agjenci, ne periudhen 2009 – 2012 nuk kam dhene asnje vendim ne favor te subjektit ne fjale.
Kete akuze, qe ne fakt ishte e pritshme, referuar zhvillimeve te fundit, e konsideroj nje sulm per shkak te detyres qe aktualisht mbaj, sulm I cili verteton me se miri qellimin e vertete te "reformes" ne sistemin e drejtesise, e cila tashme po synon "eleminimin e kokave" ne Keshillin e Larte te Drejtesise.
Kjo akuze, me forcon bindjen dhe me shton edhe me teper vullnetin per te bërë maksimumin ne garantimin e plotesimit te detyrimeve te mija kushtetuese qe sistemi i drejtësisë ne Shqipëri te jete i pavarur nga politika.
Jam dhe mbetem i hapur te kontrollohem nga kushdo, jo vetem per këtë çështje por per te gjithe aktivitetin tim 17 vjeçar ne administratën shtetërore”.
Kallëzimi i plotë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





