
Tiranë, 30 Korrik 2014 NOA.al – Ish ministri i Arsimit dhe Shkencës e më tej Ministër Shteti për Inovacionin, Genc Pollo, komenton analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes së majtë në sektorin e arsimit.
Në një prononcim pasditen e sotme lidhur me arsimin, z.Pollo, deputet aktual i PD, tha se 300 ditët e arsimit, karakterizohen nga investime zero, përkeqësim dhe korrupsion.
Pollo sulmon sidomos deklaratat e Ramës për arsimin: “Nuk e prisnim as ne e askush në këtë vend që Rama dhe ministrja e tij të njihnin e pranonin arritjet e mëparshme si matura shtetërore, dyfishimi i pagës për mësuesin, godinat e reja shkollore, pajisjen e shkollave me kompjuter e internet si dhe reformën e kurrikulës, trajnimit e menaxhimit e plot të tjera”.
Pollo tha se asnjë emërim drejtori apo nëndrejtori shkolle – pa përmendur shkarkimet, “nuk është bërë me konkurs, sipas procedurave ligjore”.
“Pa përmendur këtu pseudokonkurset mediatike për drejtorë rajonale të kurorëzuar nga militantja e spotit të Tiranës e bërë drejtoreshë e arsimit të Tiranës e shkarkuar si maja e ajsbergut në korrupsion rilindës arsimor të kryeqytetit e të gjithë Shqipërisë”, – tha Pollo.
Sipas tij, Rama nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturë, apo përmirësim të pagave të mësuesve.
“E vetmja arritje reale është heqja e arsimit profesional nga Ministria e Arsimit që e kishte pasur për 100 vjet shtet shqiptar, dhe shkelja në një shteg të pashkelur, një model që nuk e ka asnjë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian”.
Pollo shprehu shqetësim për faktin sipas tij, se në fushën e arsimit të lartë po shfaqen skema financiare klienteliste, skema pranimesh në universitet që do të kthejnë korrupsionin e dikurshëm të provimeve në stadium dhe qasje pseudo-elitare e njëkohësisht populiste që kufizojnë të drejtën për arsimim dhe e mbajnë Shqipërinë poshtë mesatares së Ballkanit. /a.d/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





