Transmetuar më 30-07-2014, 17:34

Një ditë pas mbledhjes maratonë për superskandalin e vjedhjes së të paktën 713 milionë lekë të rinj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi një tjetër mbledhje sot, për vendimmarrjen e politikës monetare.

Ky Këshill që drejtohet nga Guvernatori Ardian Fullani, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%

Këshilli miratoi raportin mujor të Politikës Monetare, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen.

Në gjykimin e Këshillit, presionet inflacioniste nga sektori real dhe financiar janë dhe do të vazhdojnë të mbeten të ulëta.

Fullani tha se në këto rrethana, politika monetare do të mbetet në kah stimulues për periudhën në vijim, duke krijuar kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv, në një periudhë afatmesme.

Në një fjalim që mbajti pas mbledhjes, z.Fullani ka folur me nota superlative ndaj qeverisë kur tha se ekonomia ka shënuar rritje ekonomike në gjashtë muajt e parë dhe se kjo do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të vitit.

“Ekonomia shqiptare ka njohur përmirësim në gjashtëmujorin e parë të vitit. Rritja ekonomike ka qenë në territor pozitiv dhe duket se ka shenja progresive gjallërimi, stabiliteti ekonomik e financiar i vendit mbetet solid, ndërsa kushtet e brendshme e të jashtme financiare kanë tendenca lehtësimi. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka ardhur nga rritja e konsumit dhe e investimeve private, dhe është mbështetur nga një miks stimulues i politikave makroekonomike”.

Fullani tha se në vija të përgjithshme, Banka e Shqipërisë pret që tendencat e gjashtëmujorit të parë të mbarten edhe në gjysmën e dytë të vitit 2004 dhe vitin në vazhdim.

“Rritja ekonomike do të vijojë të mbetet pozitive dhe të forcohet më tej, duke ndihmuar në kthimin gradual të inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm të veprimit të politikës monetare”, – tha Fullani. /a.c/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit