Transmetuar më 30-07-2014, 06:09

Nga Adam Michnik

Hipokrizia, marrëzia dhe heshtja e elitave intelektuale, të artistëve, të shkencëtarëve dhe të mediave përballë përparimit të regjimeve totalitarë nazist dhe stalinist, do të mbetet përgjithmonë kujtimi më i trishtë i shekullit XX. Mbyllja e syve përpara aneksimit të Austrisë, Çekosllovakisë dhe vendeve balltike do të mbetet përgjithmonë turpi i Europës. Askush nuk ka folur aq mirë për paqen dhe për ligjet ndërkombëtarë sa Hitleri dhe Stalini.

Dhe askush nuk ka kryer aq shumë krime sa këta diktatorë. Sot Europa hesht për agresivitetin politik imperialist të presidentit të Federatës ruse, Vladimir Putin. Perëndimi toleron në heshtje politikën e tij të agresivitetit që shkel sovranitetin e vendeve të tjerë: Moldavisë, Letonisë, Gjeorgjisë dhe mbi të gjitha, Ukrainës. Bashkimi Europian sillet në botën moderne si një version i zgjeruar i Zvicrës neutrale – kjo është sidomos e vërtetë për elitat politike dhe tregtare. Por Europa nuk është si Zvicra, por më e madhe. Prej këtu kanë patur fillimin dy luftëra të përgjakshme.

Prandaj, ne intelektualët, gazetarët, shkencëtarët kemi për detyrë të jemi vigjilentë e të vëmendshëm. Nuk duhet të biem në mallkimin e vjetër; nuk duhet ta pranojmë konformizmin tonë të lehtë. Sot kemi për detyrë të flasim qartë dhe me forcë. Putini nuk duhet të identifikohet me kombin rus, ashtu sikurse nuk identifikohej Brezhnjevi me kombin rus kur nisi lufta në Afganistan. Atëherë ishte Andrej Sakharovi, disident besnik dhe kurajoz, zëri autentik i Rusisë. Vite më vonë, në parlamentin rus e quajti “lufta e turpshme”.

Lufta aktuale në Ukrainë, që nisi me aneksimin e Krimesë, dhe provokimet e vazhdueshme në lindje të vendit janë të turpshme, tragjike dhe të rrezikshme. Dhe shoqërohen prej masave të qeverisë së Putinit, që mbysin liritë demokratike në Rusi.

“Zbutja” është rruga drejt asgjësë. Putini nuk është një politikan i llojit europian. Është një politikan që e ka aventurizmin dhe teprimin si stil jetese. Ka sinjale shqetësuese, se tashmë ai e ka hapur Kutinë e Pandorës. Aventurierë dhe shovinistë, adhurues të pushtimit dhe masakrimit udhëtojnë nga Rusia në Ukrainë. Është krim të furnizosh këta banditë me pajisje të shkëlqyera ushtarake.

U duhet bërë thirrje udhëheqësve të Bashkimit Europian që të ndalin politikën agresive të presidentit Putin. Eksperienca në mëson se dialogu me Putinin është një humbje kohe – nëse nuk shoqërohet me unitet dhe vendosmëri. Putini nuk pyet për kundërshtarët e dobët dhe pa shtyllë kurrizore. Me sa duket, të tillë i konsideron ai vendet e Bashkimit Europian: flasin dhe kaq, ndërkohë që Kremlini vazhdon të shkelë gjithnjë e më shumë “vija të kuqe”. Vijon të dërgojë armë dhe mercenarë në Ukrainën lindore. Vazhdon të grumbullojë trupat në kufi. Por, Ukraina ka të drejtën të zgjedhë rrugën e demokracive europiane dhe ukrainasit kanë të drejtën të jetojnë në një shtet të ndershëm. Ndoshta e ardhmja e Bashkimit Europian sot vendoset në Ukrainën lindore.

Vendet e Bashkimit Europian duhet të përdorin të gjitha metodat e mundshme të presionit: të ndalin furnizimin me armë për Rusinë, si dhe të vënë në zbatim sanksione të ashpra politike dhe ekonomike. Solidariteti kundër Putinit është përgjigja e vërtetë në krizën ukrainase.

*Botues, ish- udhëheqës i disidencës polake dhe aktualisht Drejtor i “Gazeta Wyborcza” të Varshavës

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit