
Shkodër, 30 korrik 2014, NOA.al – Përditësuar: 16:52 – Një efektiv polic në qytetin e Shkodrës është plagosur ndërsa ka qenë në aksion për të verifikuar një vjedhje të kryer në zonën e njohur si “Tek shinat e trenit”, në fshatin Hot të Malësisë së Madhe.
Burime nga policia konfirmojnë për NOA.al se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:40 të mbrëmjes së të martës, tek vendi i quajtur “Ish-Hidrovori”, ku polici 47 vjeçar, kryeinspektor Kastriot Preçi banues në Fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, ka marrë njoftimin se po grabitej një banesë.
Ai, bashkë me një efektiv tjetër kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku janë hasur me të shtëna armësh nga hajdutët, të cilët e kanë plagosur 47-vjeçarin në krah.
Efektivi i policisë është transportuar për në spitalin e qyteti dhe aktualisht ndodhet pranë Spitalit Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U bë këqyrja e vendit të ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 copë gëzhoja, model 56.
Nga kryerja e veprimeve hetimore, rezulton se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi K. L., 24 vjeç, banues në Fshatin Ivanaj, komuna Kastrat Malësi. Ky shtetas është i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje në bashkëpunim, Vjedhje me dhunë, dhe largim i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”. I riu ishte shpallur në kërkim policor më 26 maj 2014 dhe aktualisht po punohet për ndalimin e tij, i thanë agjencisë noa.al, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





