Transmetuar më 29-07-2014, 20:38

Autostrada Tiranë-Elbasan nga hyrja e tunelit deri në afërsi të ish Kombinatit Metalurgjik rimbyllet sërish duke nisur nga ora 07:00 e ditës së nesërme, e mërkurë 30 korrik.

Burime zyrtare nga ASHRR (Autoriteti Rrugor Shqiptar) i thanë agjencisë së lajmeve NOA.al se autostrada dhe tunelet pjesë e saj do të qëndrojnë të mbyllura deri më 16 gusht 2014.

Kompania greke njoftoi se gjatë kësaj kohe, do të kryhen punimet e fundit që kanë mbetur, kryesisht vijëzime dhe më pas tuneli do të rihapet përfundimisht, duke mos krijuar pengesa të përsëritura për kalimin e automjeteve.

Në muajt qershor-korrik, në pjesën më të madhe kjo autostradë ishte sërish e mbyllur, për shkak të punimeve dhe u rihap me një korsi ashtu siç ishte hapur kur u bë përurimi para zgjedhjeve të 2013 të punimeve gjysmake.

Me mbylljen e tunelit është i detyrueshëm kalimi i automjeteve nga rruga e vjetër kombëtare Tiranë-Elbasan.

Drejtuesit e automjeteve, sidomos ata që nuk e kanë bërë më parë udhëtimin nga rruga e vjetër këshillohen të kenë kujdes në kthesat e shumta të Qafë Kërrabës, por edhe në të gjithë pjesën e mbetur deri në qytetin Elbasan, duke mbajtur shpejtësi të ulët dhe krahun e vet. /a.c/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit