Transmetuar më 29-07-2014, 17:45

Mosndëshkimi për një kohë të gjatë i krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, do të sfidohet pas shpalljes së sotme se ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të akuzohen për rrëmbim, trajtim jonjerëzor dhe vrasje të serbëve dhe shqiptarëve etnikë, që besohet se e kishin kundërshtuar UÇK-në në vitin 1999, tha sot organizata Amnesty International.

Në deklaratën e Task Forcës Speciale Hetuese, të krijuar nga Bashkimi Evropian, kryeprokurori, Clint Williamson, ka shpallur akuzat që do të paraqiten kundër zyrtarëve të lartë të UÇK-së.

“Shpresojmë se ky do të jetë hap kah drejtësia për familjet e afro 400 serbëve të Kosovës, që besohet se ishin rrëmbyer nga UÇK-ja dhe menjëherë janë transferuar në Shqipëri, ku ka dyshime se ata janë vrarë”, tha Sian Jones, nga Amensty International.

Kryeprokurori, në fjalën e tij, ka bërë të ditur se ka pasur rrëmbime dhe vrasje të gjëra dhe të natyrës sistematike, dhe ka siguruar se ish-zyrtarët e lartë të UÇK-së do të akuzohen për krime kundër njerëzimit.

Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të publikoj akuza kundër të dyshuarve ende të paemëruar, derisa të krijohet gjykata e specializuar për t’i gjykuar të dyshuarit, jashtë Kosovës, e cila nuk do të hapet deri në vitin 2015.

“Bashkimi Evropian dhe autoritetet e Kosovës, tash duhet të veprojnë menjëherë për të siguruar se gjykata e specializuar të krijohet sa më shpejtë që është e mundur”, thotë Sian Jones, për të shtuar se “çdo vonesë mund të çojë po ashtu në mosndëshkim dhe keqtrajtim të mëtejshëm të dëshmitarëve potencialë”.

***

Qeveria e Republikës së Kosovës reagoi duke thënë sot se e ka marrë në konsideratë deklaratën e lëshuar nga Task Forca Speciale Hetuese (TFSH) të BE-së rreth hetimeve të pavarura për krime lufte të pandehura që janë përmendur në Raportin e Këshillit të Evropës të shkruar nga Dick Marty në janar 2011.

Mëtutje, në njoftimin për media, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se ka bashkëpunuar me TFSH gjatë gjithë procesit dhe do të vazhdon bashkëpunimin deri sa këto hetime të marrin fund.

“Kjo është demonstruar edhe nga miratimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për krijimin e një Dhome të veçantë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës për t’i adresuar këto çështje”, thuhet në deklaratë dhe shtohet se “kjo është dëshmia më e mirë se Kosova është shtet ligjor dhe se do të vazhdoj të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdim të këtij procesi”.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson përfundimin e punës së Ambasadorit Williamson, që është një hap i rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale dhe iu jep fund pretendimeve për akuza tjera të padëshmuara.

Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e procesit të integrimeve Evropiane dhe procesin e anëtarësimit në NATO, thuhet në fund të deklaratës së qeverisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit