
Një sulm vetëvrasës i ka marrë jetën kushëririt të presidentit në largim afgan, Hamid Karzait në krahinën jugore të Kandaharit.
Zëdhënësi i Guvernatorit të krahinës Kandahar, Dawa Kham Menapal, i ka thënë sot radio së Lirë se sulmuesi e ka shpërthyer eksplozivin që e kishte në trup derisa ishte duke e takuar Hashmat Karzain në shtëpinë e tij në qarkun Dand të Kandaharit.
Menapal tha se një civil është plagosur gjatë sulmit. Ai shtoi se sulmuesi kishte shkuar në shtëpinë e Hashmat Karzait për ta uruar për festën e Bajramit.
Askush deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Hashmat Karzai, ka udhëhequr fushatën parazgjedhore të kandidatit presidencial, Ashraf Ghani, në krahinën e Kandaharit.
Ghani dhe kundërkandidati, Abdullah Abdullahu, kanë garuar për pozitën e presidentit në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtur më 14 qershor, proces ky që është karakterizuar me akuza të shumta për manipulime.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





