Transmetuar më 29-07-2014, 14:00

Aktualisht, policia ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet nga qyteti si dhe vendkalimin kufitar me Shqipërinë në Bllatë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Dibrës nga ana maqedonase, kur një shqiptar shtetas i Shqipërisë, në një përpjekje për grabitje ka mbetur i vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur.

Ngjarja ka ndodhur sot në qendër të qytetit, raporton korrespondenti i noa.al duke iu referuar burimeve nga vendngjarja.

Një person i maskuar, ka tentuar të grabisë dyqanin e vëllezërve Erebara nga Dibra sot rreth orës 13:15.

Hajduti u pikas nga kalimtarët dhe njëkohësisht hasi në rezistencë nga pronarët e dyqanit. Në distancë të afërt gjendeshin edhe 4 persona të tjerë që dyshohet se ishin suport i hajdutit të maskuar. Gjatë precipitimit të ngjarjes, grabitësit arritën të vjedhin 18 kilogramë flori.

Gjatë këtyre çasteve, kalimtarët i janë sulur grabitësit për ta neutralizuar. Në rrethana të paqarta ka pasur shkrehje arme zjarri, automatik, që çoi në vrasjen e të dyshuarit të maskuar, që policia tha se ishte shtetas i Shqipërisë. Policia maqedonase ende nuk ka konfirmuar emrin e viktimës.

Në këtë ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe 4 persona të tjerë.

Njëri nga plagosurit është pronari i dyqanit, Mexhit Erebara i cili është dërguar për mjekim të mëtejshëm në Shkup.

I plagosuri i dytë është taksisti shqiptar Agron Cami, i cili rastësisht u gjet në vendin e ngjarjes.

Dy të plagosurit e tjerë janë shtetas shqiptarë të Shqipërisë. Një prej tyre ishte shtetas shqiptar i cili në atë kohë gjendej në argjendari si blerës.

Policia tha se tre grabitësit arritën të tërheqin të vrarin në ngjarje si dhe të plagosurin e bandës prej pesë agresorësh. Ata janë larguar në drejtim të panjohur, dyshohet se kanë kaluar kufirin duke u rikthyer në Shqipëri.

Policia lokale tha se grabitësit kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes, pasi me dhunë kanë marrë një automjet që gjendej në rrugë.

Pas ngjarjes, policia ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet nga qyteti si dhe vendkalimin kufitar me Shqipërinë në Bllatë. Kjo situatë po vazhdon ende. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit