Transmetuar më 29-07-2014, 13:19

Një 25 vjeçar humbi jetën natën duke gdhirë dita e sotme në Shkup pasi u qëllua me sende të forta në kokë.

Viktima është 25 vjeçari Ali Rexhepi shqiptar nga Shkupi, kurse autor i dyshuar i krimit është 37 vjeçari Suat Bislimi nga i njëjti vendbanim, raporton korrespondenti i noa.al.

I dyshuari është bashkëshorti i ri i ish-gruas së viktimës Ali Rexhepi dhe njerku i vajzës së çiftit të ndarë.

Ngjarja tragjike ndodhi në lokalitetin Shuto Orizare në rrugën “Patrik Lumumba” në Shkup.

Gjithçka erdhi pasi vajza e çiftit të ndarë, ishte ankuar se ishte plaçkitur disa herë dhe pretendonte se autor ishte Ali Rexhepi.

Suati është përballur me Aliun dhe mes tyre ka nisur një grindje për këtë pretendim. Grindja precipitoi në shpërthim dhune fizike dhe në një moment, Suati ka marrë një levë dhe e ka qëlluar në kokë Aliun duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sot herët në mëngjes, Ali Rexhepi humbi jetën në spitalin e Shkupit, megjithë ndërhyrjen mjekësore.

Policia thotë se ka arrestuar Suat Bislimin si të vetmin të dyshuar për krimin. Ai përballet me akuzën plagosje e rëndë me pasojë vdekjen.

Shkupi këtë vit ka një buletin të zi të madh. Para pak muajsh në Aerodrom ishte vrarë një biznesmen nga Maqedonia Lindore. Vetëm një ditë më vonë, në lagjen Novo Lisiçe, shofer i NQP-së vrau me armë zjarri dashnoren e tij dhe pastaj kreu vetëvrasje.

Më tej në Gjorçe Petrov u vra maturanti Angel Petkovski, ndërsa para pak javësh, Igor Spasovski -Boksaç vrau dy motra në Aerodrom dhe pastaj vrau edhe veten.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit