Tiranë, 29 korrik 2014, NOA.al – Kreu i opozitës, Lulzim Basha është shprehur se niveli ekonomik i Shqipërisë është përkeqësuar këto 300 ditë, ndërsa deputeti Sali Berisha tha se janë atakuar themelet e ekonomisë.
“Ekonomia shqiptare është e dobët, situata nuk është në kushte optimiste. Në kushtet e ndërprerjes së marrëdhënieve me Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të agresionit kriminal ndaj opozitës, jemi detyruar që përmes transparencës, bashkëbisedimit me faktorët nga shoqëria, me grupet e biznesit, ne si opozitë do të themi të vërtetën sipas nesh. Do të tregojmë me fakte shifra gjendjen aktuale si dhe do të diskutojmë bashkë me mendimin tuaj, rrugët e daljes nga kjo situatë”, tha kryedemokrati Basha.
Ai shtoi se roli i opozitës, në kushtet e mosfunksionimit të parlamentit, është që komunikimin me qytetarët të bëhet në mënyrë të përditshme. “E kemi bërë këtë në lidhje me çështjen e rendit, e kemi bërë javën e kaluar në lidhje me çështjet e të përndjekurve politikë dhe sot, do të ofrojmë transparencën tonë për gjendjen aktuale, për ekonominë e dobët, e cila sot është pika ku bashkohen të gjitha shqiptarët”, tha Basha.
“Qëllimi ynë i parë është të tregojmë të vërtetën pa e fshehur atë. Kjo është një sfidë më vete në këto 300 ditë. Ne do të ndalemi tek transparenca me shifra dhe fakte, duke u bazuar edhe tek burime të kësaj qeverie”, vijoi ai më tej.
Deputeti Sali Berisha tha se nuk ka liri ekonomike, pa siguri ligjore. Ai shtoi se kjo batërdi në ekonomi po ndodh pasi janë atakuar themelet e ekonomisë.
“Kemi një kryeministër që dhunon ligjet, kushtetutën, kontratat dhe gjithçka tjetër. Ai është afër 0 në nocionet që do të gjejë. Siguria ligjore fillon që në hartimin e ligjit, mënyrën e diskutimit, miratimit etj. E fundit është gjykata. Po preken themelet e lirisë ekonomike”, tha ndër të tjera Berisha.
Ai kujtoi se adaptimi i një politike liberale bëri që Shqipëria të ecë me shpejtësi, të lërë mbrapa disa nga vendet më të zhvilluara të BE. Berisha tha se po ndodh një fenomen me një zhvillim dramatik dhe të pashpjegueshëm.
“Tregu në Shqipëri përballet sot me mafien më të egër. Sot liria e tregut dhe ajo ekonomike viktimizohet çdo ditë nga një grup kleptokratësh mafiozë që kanë vendosur në ministri kriminelë të dënuar. Sot viktima më të zakonshme janë të gjithë biznesmenët. Çdo javë apo çdo dy javë një biznesmen ekzekutohet, madje edhe publikisht”, tha Berisha.
Ai shpjegoi se ndodh që bandat e inkurajuara nga qeveria vendosin konkurrencën me tytën e revoles. Ish kreu i PD-së tha se ndërhyrja e FMN-së ishte e rëndësishme, ndërsa sot, këto institucioni kanë rrezik të shndërrohen në aleatë të institucionit më të rrezikshëm të Europës.
Deputeti demokrat, Ridvan Bode u shpreh se qeveria po vepron me politikë ndrydhëse taksash. Ai tha se fushata nxitëse dhe denigruese si dhe ofendimi i politikave të ndërmarra nga qeveria e mëparshme, janë rezultat i mospasjes së një vizioni nga kjo qeveri në 300 ditëve.
“Rritja e konsumit është në nivelin më të ulët historik të 15 viteve të fundit. Rama gënjeu kur tha se është rritur niveli i konsumit dhe mirëqenies në këto 300 ditë. Ai ka rënie absolute, ashtu si edhe konsumi publik, i cili është rreth 80 mnl dollarë më pak, si dhe investimet publike, 160 mln dollarë më pak./a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





