Transmetuar më 29-07-2014, 09:22

Më shumë se 2500 vullnetarë, që kanë punuar në “Ground Zero” pas rënies së Kullave Binjake, janë të sëmurë me kancer. Është mallkimi i 11 shtatorit, fytyra tjetër e tragjedisë që ka ndryshuar përgjithnjë historinë e Amerikës.

Lajmi tronditës bëhet i ditur nga “New York Post”, duke nënvizuar se, një numër i madh personash kanë ndër mend të kërkojnë dëmshpërblim për arsye ligjore. Gazeta shkruan se bilanci i personave të cilëve u është diagnostikuar një tumor si pasojë e toksinave të pranishme në zonën e “World Trade Center”, është rritur edhe më shumë në krahasim me vitin e shkuar, kur ishin njoftuar 1140 raste.

Sipas burimeve spitalore të Nju Jorkut, pjesa më e madhe e të prekurve nga kjo sëmundje, janë policë, punonjës të ndihmës së shpejtë, punonjës të Bashkisë dhe vullnetarë të ndryshëm, të cilët shërbyen në “Ground Zero” pas 11 shtatorit 2011. Dhe bilanci është rritur në 2518 persona, duke përfshirë edhe zjarrfikësit dhe mjekë të niveleve të ndryshme.

Një kapiten i zjarrfikësve në pension, tashmë 63 vjeç, i cili punoi për një javë pa pushim pas atentatit dhe që kaloi muaj mes rrënojave të Kullave, ka përfituar kohët e fundit një dëmshpërblim prej 1.5 milion dollarësh nga “Fondi i Kompensimit të Viktimave të 11 shtatorit”, për sëmundje në mushkëri dhe një kanceri në pankreas.

“Atë ditë, e dinim që shumë nga ne do të sëmureshin”, – ka rrëfyer një burrë, identiteti i të cilit nuk zbulohet. Ish-zjarrfikësi u detyrua të dalë në pension në 2008-ën për shkak të shqetësimeve në mushkëri dhe vitin e shkuar iu diagnostikua një tumor në pankreas.

Sipas epidemiologëve, personat vullnetarë të kategorive të ndryshme që kanë shërbyer në “Ground Zero”, kanë një përqindje të madhe për t’u sëmurur në krahasim me pjesën tjetër të popullatës, para së gjithash sa i takon kancerit në mushkëri, në prostatë, në tiroide, leuçemi dhe atë të lëkurës.

Deri tani, janë dëmshpërblyer 115 persona për një total prej 50.5 milionë dollarë, në shuma që shkojnë nga 400 mijë dollarë deri në 4.1 milionë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit