
Partizani mbyll pjesën e parë të fazës përgatitore në Maqedoni dhe bëhet gati për t’u transferuar në Bullgari, ku do të qëndrojë të paktën dy javë, citon Supersport.
24-orët e fundit të kuqtë janë lënë pushim me rastin e festës së Fiter Bajmarit, ndërsa këtë të martë do të nisen drejt qytetit Bansko në Bullgari, për të kompletuar fazën para startit të kampionatit.
Në tokën bullgare, 15 herë kampionët e Shqipërisë kanë në program zhvillimin e të paktën tri ndeshjeve miqësore, e para më 2 gusht ndaj skuadrës greke Xanthi, e sapongjitur në Superligën e Greqisë.
Dy javët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për stafin teknik, që është në dilemë për sulmuesin Magalhaes, me brazilianin që është shfaqur larg pritshmërive të drejtuesve të kuq.
Për këtë arsye merkatoja e Partizanit mbetet ende e hapur, pasi përveç një sulmuesi cilësor që duhet të bëjë diferencën, kërkohet edhe një mesfushor.
Bëhet fjalë për vendin e lënë bosh nga Mentor Zhdrella, i cili u largua papritur nga të kuqtë, edhe pse kishte firmosur një kontratë 3-vjeçare me presidentin Demi.
Të kuqtë do të jenë në vëzhgim të elementëve cilësore për fazën sulmuese deri në momentin e mbylljes së merkatos, për t’u futur në garë me objektiva madhorë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





