
Lionel Messi e ka të pamundur t’i mbyllë problemet me drejtësinë, citon Supersport.
Gjykata e Gavas në Barcelonë ka hedhur poshtë kërkesën e autoriteteve tatimore për tërheqjen e akuzave, për evasion fiskal ndaj yllit të Barcelonës.
Ajo ka kërkuar ndjekjen e mëtejshme të çështjes, që do të thotë se ndaj 27-vjeçarit dhe babait të tij mund të nisë procesi gjyqësor, për tre krime ndaj organeve tatimore.
Gjykata i jep në këtë mënyrë 10 ditë kohë Prokurorisë dhe Avokatit të Shtetit, që të nisin gjykimin ose ta mbyllin çështjen.
Gjykata ka refuzuar pretendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen kundër Lionel Messit, duke i adresuar akuzat vetëm te babai i tij Jorge, pasi mendon se ka të dhëna të mjaftueshme për të besuar se futbollisti mund të ketë patur dijeni, madje edhe mund të ketë lejuar krijimin e një shoqërie fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore nga të ardhurat, të cilat i siguronte nga e drejta e imazhit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





