
Tiranë, 28 korrik 2014, NOA.al – Liderët e politikës shqiptare urojnë ditën e sotme të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Pasi vizitoi komunitetin Mysliman, Kryeministri Edi Rama u shpreh shkurt se “sot janë të gjithë të barabartë”.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë. “Qofshin gjithmonë të gëzuar, paçin gjithmonë mbarësi”, tha Nishani Ai shprehu urime për të gjithë ata besimtare jomyslimanë që në respekt të kësaj feste e festojnë dhe dërgojnë mesazhe urimi.
Gjithashtu, ai shprehu nderimin e madh për të gjithë ata klerikë të cilët kontribuuan në historinë kombëtare shqiptare, që nga Hoxha Tahsimi e gjithë të tjerët, të cilët Presidenti i konsideroi si kontributorë të pavarësisë së Shqipërisë.
“Falenderoj të gjithë ata që i rezistuan ferrit komunist dhe ditën të ruajnë e përçojnë besimin tek njerëzit. Nderim i veçantë për klerikët myslimanë që përhapin vlerat e dijes, ndershmërisë, paqes, respektit, që janë vlerat vëllazërore të njerëzimit. Urime dhe Gëzuar!”, përfundoi Presidenti Bujar Nishani.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri një urim të veçantë për klerin dhe gjithë besimtarët myslimanë që i japin fund sot sakrificës 1 mujore.
“I falënderoj për përgjegjësinë që kanë marrë për veten, familjarët e tyre dhe gjithë shqiptarët, nëpërmjet kësaj sakrifice. Uroj që asnjë motiv politik, për detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, të mos na ndalin për ndërtimin e xhamisë së madhe. Uroj dhe shpresoj që ky muaj reflektimi, lutjesh të qindra mijëra besimtarëve të na shërbejë për të ndërtuar këtë projekt duke i shërbyer një vendi dh enjë shoqërie më të drejtë e më solidare”, tha Basha.
Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, pasi uroi besimtarët myslimanë për këtë ditë të shënuar, u shpreh se ata kanë 25 vjet që gënjehen e mashtrohen për ndërtimin e xhamisë së madhe.
“Urimet shkojnë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Tetovë, Preshevë e Çamëri, të cilët në shumicë janë të besimit mysliman. Në 25 Fiter Bajram i gënjyen 25 herë besimtarët për ndërtimin e një xhamie dhe sërish vazhdojnë të mashtrojnë”, tha në fjalën e tij Spahiu.
Deputeti socialist, Pandeli Majko, pasi uroi besimtarët e këtij komuniteti, tha se kjo festë na mëson si të përballojmë vështirësitë. “Urime për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Sot i urojmë gëzuar atyre që na lejuan të mësojmë se si përballohen vështirësitë”, tha Majko.
Kreu i PKD-së, Mark Frroku është shprehur nëpërmjet një deklarate për media se në këtë ditë, çdo besimtar mysliman ndihet më pranë Zotit se asnjëherë tjetër pasi kurorëzon sakrificën dhe përkushtimin që ka dëshmuar gjatë agjërimit në ditët e Muajit të Ramazanit.
“Iu bashkohemi lutjeve që Zoti t’ua pranojë sakrificën e tyre dhe le të shërbejë ky agjërim si një burim energjie dhe shprese për secilin prej besimtarëve myslimanë, të cilët me forcën e shpirtit dhe të mendjes, të kontribuojnë për ta bërë këtë shoqëri më të harmonishme, që të sundojë vëllazëria dhe mirësia mes shqiptarëve dhe të punojmë të gjithë bashkërisht për një Shqipëri më të paqme dhe të begatë”, tha Frroku. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





