Transmetuar më 27-07-2014, 20:13

Vincenco Nibal parakaloi triumfator mbi Champs Elysse, citon Supersport.

Nën hijen e kullës Eifel dhe të Harkut të Triumfit, çiklisti Italian kurorëzoi triumfin e tij të parë në Tour de France, duke u bërë i pari nga vendi i tij, që nga koha e Pantanit, 16 vjet më parë, që vetëm me një biçikletë arrin të fitojë jo vetëm xhiron më të famshme në botë, por gjithashtu dhe zemrat e francezëve.

Nibali, triumfoi sepse tregoi realisht se ishte më i miri, duke mbajtur për plot 16 etapa të veshur fanellën e verdhë e duke lënë pas kundërshtarët e tij transalpinë, por dhe spanjollin Valverde.

Fitoi katër etapa, mes të cilave dhe një sfilitëse mes Pirenejve duke treguar se është një çiklist i kompletuar dhe si malorist, por mbi të gjitha tregoi vullnet për të përballuar ngjitjen më të vështirë, ku sigurisht u ndihmua dhe nga gregarët e skuadrës së tij.

Italianët vështirë se do të harrojnë ditën kur ai parakaloi triumfator mbi bulevardin e kampionëve.

Sa i përket etapës së fundit, ajo u fitua pas një sprinti drithërues nga ana e Kittel, që pedaloi si i çmendur duke arritur madje dhe një shpejtësi prej 64.7 km në orë për të mposhtur kundërshtarët e tij, norvegjezin Kristoff dhe lituanezin, Navardauskas.

Ndërkohë fanella me pika, ajo e maloristëve, në këtë tur u fitua nga polaku Rafal Majka, ndërsa fanellën jeshile të sprintierit e fitoi sllovaku, Peter Sagan.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit