Transmetuar më 27-07-2014, 19:18

Çfarë ka ndodhur në të shkuarën te Bayerni i Mynihut nuk do të përsëritet më. Karl-Heinz Rummenigge ua bëri të qartë tifozëve, se Pep Guardiola konsiderohet i paprekshëm dhe nuk ka shanse që spanjolli të shkarkohet.

5 herë kampionëve të Europës nuk u ka ecur fati pas Kupave të Botës, dhe tani ekziston frika se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe këtë sezon.

Magath u shkarkua nga bavarezët në janar 2007, ndërsa Van Gaal pati të njëjtin fat në prill 2011. “Bayerni i Mynihut nuk do ta shkarkojë kurrë Pep Guardiolën. Jam gati ta lë me shkrim këtë që them.

Ai do të jetë trajneri ynë deri më 30 qershor 2016, kur t’i skadojë kontrata. E dimë se për lojtarët nuk është e lehtë ta nisin sezonin pas Kupës së Botës, por për fat të mirë kemi një trajner që është i qetë përballë situatave të tilla.

Kam folur me të dhe më ka thënë se e di se çfarë duhet të bëjë. Guardiola e ka një eksperiencë të tillë kur drejtonte Barcelonën, pasi Spanja u shpall kampione në vitin 2010”.

Rummenigge foli gjithashtu për krenarinë që ndjeu kur pa Gjermaninë dhe yjet e Bayernit, teksa morën në duar Kupën e Botës.

“Ndodh rrallë që të më pëlqejë kaq shumë një turne sa ky në Brazil. Pas finales u ndjeva edhe më shumë i lumtur sepse asnjë nga lojtarët tanë nuk u dëmtua, por edhe sepse Schweinsteiger dhe Lahm më në fund e fituan titullin, për të cilin kishin punuar aq shumë. Gjermania po priste prej kohësh për heronj të tillë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit