
Tiranë, 28 korrik 2014, NOA.al- Besimtarët myslimanë festojnë nesër Fiter Bajramin. Në një deklaratë për mediat, kreu i Komuniteti Mylsiman, Skënder Bruçaj bën me dije se falja do të bëhet në orën 06:23.
Komuniteti ka sqaruar se falja për burrat do të bëhet në bulevardin qendror ndërsa për gratë do jetë në fund të rrugës “Myslym Shyri”. Me këtë rast, kreu i këtij komuniteti ka uruar të gjithë besimtarët për Fiter Bajramin.
Urimi i plotë
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!
Më lejoni që në këto çaste, ndërsa presim festën e Fitër Bajramit, festën e besimit në Zot, e gëzimit dhe lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jete sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi në çdo sferë të jetës, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.
Ne sot po përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, për të pritur festën e bajramit.
Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i qetësisë shpirtërore, momenti lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar.
Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë.
Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të eja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë.
Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë. Sikurse përmend Ai në Kur’an. “E kush madhëron dispozitat (simbolet) e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.”
(Kur’an, Haxh: 32)
Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit, i lutem Zotit Fuqiplotë që të sjellë paqen në Gaza, Irak, Siri e kudo nëpër botë ku shkelen parimet hyjnore dhe të drejtat themelore të njeriut.
I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.
O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.
Gëzuar Fiter Bajramin, dhe Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.
Amin!
Kryetari
Skënder Bruçaj
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





