Transmetuar më 26-07-2014, 21:38

Me firmat e James Rodriguez dhe Toni Kroos, Reali i Madridit ka hedhur sytë nga tregu i qendërsulmuesve për të kompletuar organikën e sezonit të ardhshëm, citon Supersport.

Me largimin e Moratas, dhe Benzema që mbetet pika e vetme e referimit, shoqëria po mendon afrimin e një lojtari me peshë që të garantojë vazhdimësinë në të treja frontet.

Profili më i përshtatshëm për skuadrën “Merengues” është kolumbiani Radamel Falcao dhe nëse bisedimet për të dështojnë, atëherë alternativa është belgu Lukaku.

Falcao kërkon të rikthehet në Madrid, dhe dëshirën e tij ia ka bërë të ditur agjentit Jorge Mendes, por Monaco do të bëjë rezistencë pasi vetëm një sezon më parë e bleu kolumbianin për rreth 60 milionë Euro.

Propozimi më i fundit që Perez i ka bërë skuadrës së principatës është 50 mln Euro që do të paguhen me 4 këste, ndërsa lojtarit i janë premtuar 14 milionë Euro në sezon.

Gjithsesi, skepticizmi rreth gjendjes së bomberit mbetet i lartë pasi ai nuk stërvitet që prej shumë muajsh për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, që e pengoi të aktivizohej edhe në Kupën e Botës me Kolumbinë.

Ligue 1 starton në datën 10 gusht dhe koha nuk premton, shoqëria po punon që marrëveshja të mbyllet brenda kësaj date, por nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që bisedimet të dështojnë.

Me kompletimin e repartit të sulmit, drejtuesit e Realit të Madridit do të nisin punën për të shfryrë organikën ku Di Maria dhe Khedira mbeten lojtarët më të rrezikuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit