
Tiranë, 25 korrik 2014, NOA.al – Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti sot Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Federica Mogherini. Peleshi u shpreh se Presidenca Italiane e BE është një mundësi më shumë për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE dhe fokusimin e politikave të BE ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Zëvendëskryeministri e vlerësoi vizitën e Ministres së Punëve të Jashtme të Italisë si një tregues të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve e partneriteti strategjik mes vendeve tona.
Një pikë e rëndësishme e bisedës preku përpjekjet e Shqipërisë dhe angazhimin personal të Kryeministrit Edi Rama për të thelluar bashkëpunimin me vendet fqinje përmes projekteve të përbashkëta të investimit dhe bashkëpunimit në funksion të integrimit ekonomik të rajonit.
Zëvendëskryeministri njohu Mogherinin me punën e bërë në këto 300 ditë nga qeveria dhe me reformat e rëndësishme që po ndërmerren veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe përmirësimit të klimës për bizneset dhe investitorët e huaj
Ministrja shprehu gatishmërinë e qeverisë italiane për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat si dhe për të intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Një falenderim personal Ministrja Mogherini e rezervoi për Zëvendëskryeministrin Peleshi për rolin e tij në negocimin dhe firmosjen e Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim për vitet 2014 – 2016 që kap shumën e 82 milionë eurove.
Ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një faktor stabiliteti dhe shprehu bindjen se iniciativat e bashkëpunimit rajonal do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





