Transmetuar më 25-07-2014, 19:10

Tiranë, 25 korrik 2014, NOA.al – Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, ka shpjeguar përmes një shkrimi të tij, mbi arsyet e mospjesëmarrjes në votim, gjatë seancës parlamentare të ditës së enjte, më 24 korrik të këtij viti.

“Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe nuk do ta vë gjatë mandatit tim të deputetit. Por kam preferuar si pak kush t’ia them gjërat në sy e jo kulisave e tavolinave si shumë servilë e të pazotë”, thotë deputeti socialist, në një shkrim në Facebook.

Ai deklaron se në jetën e tij nuk ka shantazhuar e as vënë kushte askujt. Ndreu ka sqaruar se dje askush nuk ka dëgjuar nga ai kushte për poste, për para apo privilegje. “Kam kërkuar vetëm vemendjen e duhur ndaj zonës time elektorale si ndër më të varfërat, më të lënat pas dore dhe më pak të trajtuara gjatë kësaj kohe. Në asnjë rast gjatë kohës time në PS nuk kam kërkuar asnjëherë asgjë të vetme as për vete e as për familjen time, por për zonën time elektorale s’më ndalon njeri të “ulëras” kur disa vemje politike i fyejnë me zhargonin e shëmtuar “malokë” dhe i përbuzin çdo ditë”, shkruan Ndreu.

Ai thotë se nuk bën kompromise të pista me askënd, flet hapur e nuk e ndalon njeri me çdo lloj kosto. “Stop abuzimit me emri tim e veprimet e mia. Janë të pastra si kristali dhe me qëllime parimore e të drejta! Askush nuk mundet t’i ndotë, askush..!”, përfundon sqarimin deputeti Pjerin Ndreu. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit