
Tiranë, 26 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shtroi një darkë iftari me rastin e Muajit të Ramazanit. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë nga të gjitha komunitetet fetare në vendin tonë dhe deputetë.
Në përshëndetjen që bëri para të pranishmëve, Meta u shpreh se pavarësisht besimit dhe bindjeve politike që ndahen, të gjithë luten në shqip. Kryetari i Kuvendit tha se Muaji i Ramazanit iu kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore.
“Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore, peshën e modestisë dhe shërbesës, ndihmën dhe solidaritetin ndaj më të dobëtëve, vlera të cilat, në këtë botë të turbullt, me kaq shumë dhembje e humbje, me kaq pasiguri, janë një nga rrugët më të sigurta drejt shpëtimit dhe ndryshimit për mirë të vetë botës. Sepse qëllimi i tij është pastrimi i zemrës, shpirtit, moralit dhe triumfi mbi të keqen, veset e të shëmtuarën”, u shpreh Meta.
Sipas Kryetarit të Kuvendi, besimi tek Zoti dhe besimi tek njeriu, dashuria për Zotin dhe dashuria njeriun, mund ta çojnë një shoqëri përpara.
“Edhe shoqërinë tonë. Në luftë me vesin, në përpjekje me hakmarrjen, në kundërshti me pangopësinë e cinizmin shpesh egoist të qytetarit të sotëm kinse modern ne të gjithë mund të ndryshojmë. Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton se Zoti urdhëron për bamirësi, se Zoti i do ata që falin, ata që dinë të pendohen dhe ata që dinë të durojnë”, vijoi Meta.
Më tej, Kryetari i Kuvendit deklaroi se në këtë muaj ne kemi mundësi dhe të gjykojmë me qetësi për një nga vlerat tona më të mëdha si shoqëri dhe si komb, që është bashkëjetesa e mrekullueshme e besimeve të ndryshme në vend dhe toleranca shembullore mes tyre.
“Në këtë Muaj të Madhnueshëm ne kemi mundësi dhe të gjykojmë me qetësi për një nga vlerat tona më të mëdha si shoqëri dhe si komb. Vlerën e bashkëjetesës së mrekullueshme të besimeve të ndryshme në vend, tolerancën shembullore mes tyre, një formë dhe një provë që dëshmon pjekurinë e pabesueshme të shoqërisë shqiptare. Pikërisht mungesa e kësaj tolerance dhe bashkëjetese e ka bërë jetën e shumë kombeve të tjerë të padurueshme, ka shpërthyer luftëra, fatkeqësi dhe dhembje e humbje të jashtëzakonshme”, shtoi z. Meta, i cili u shpreh se së bashku mund të ndryshojmë për mirë jetën tonë, të kemi më pak varfëri e dhembje, më shumë shpresë tek e nesërmja dhe më shumë solidaritet./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





