
Tiranë, 24 korrik 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama në një takim me temë “Bujqësia e rritjes dhe zhvillimit”, deklaroi se për të nxitur një rritje të re dhe të qëndrueshme ekonomike, duhet investuar në burime të reja rritje.
Ai tha se modeli i marrëdhënieve mes shtetit dhe fshatit në këto vite, bazuar në subvencione në formën e lëmoshave për mbijetesë dhe jo për investime për të krijuar zinxhire vlerash, është një model thjesht dhe vetëm mbijetese, i cili nuk çon asgjëkundi.
Kryeminsitri tha se do të nxitet sipërmarrja, duke krijuar vlerë dhe jo duke u bazuar në ideologjinë e lëmoshës.
“Ne e rritëm me 70% fondin e buxhetit për bujqësinë dhe nga ana tjetër kërkuam që vetë fermerët të aplikojnë me projekte ku kriteri bazë i vlerësimit nuk ishte “na urdhëro paratë dhe bëj këtë gjë”, por se çfarë kjo gjë do të sjellë më pas. Në mënyrë që të garantohet sukses, në mënyrë që të përfshihen të tjerë në një proces në zhvillim. Pavarësisht dëshirës dhe vullnetit, buxhetet tona do të jenë gjithmonë të pamjaftueshme përballë kërkesës për rritje, në rast se kërkesa nuk do të përballohet me zinxhirre vlerash që do ta përballojnë rritjen brenda për brenda sistemit, duke rritur edhe punësimin”, u shpreh Rama.
Në vijim, kreu i qeverisë shtoi se, duke u hequr taksidarët e administratës iu është dhënë krahë fermerëve, por edhe nëpërmjet dhënies së fondeve.
Sipas tij, më shumë rregulla nuk do të thotë më shumë rend ligjor, duke shtuar se nevojiten më pak rregulla dhe më shumë mbështetje për të krijuar zinxhire vlerash./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





