Transmetuar më 23-07-2014, 12:36

Tiranë, 23 korrik 2014, NOA.al – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në prezantimin e punës së 300 ditëve të para të qeverisjes, deklaroi se brenda 300 ditëve është nxjerrë policia e shtetit nga llumi i korrupsionit.

“Ka shumë punonjës policie që bëjnë detyrën pa marrë ryshfet, ashtu siç janë të shumtë ata policë që ende vënë gjoba të pabazuara në ligj dhe marrin ryshfet”, tha ministri Tahiri.

Ai shtoi se nëpërmjet infrastrukturës dhe pajisjeve të reja në polici, mund të shohim sfidën e shoqërisë për të zbatuar ligjit dhe shmangien e korrupsionit. “Me këtë sistem dhe me kamerat e policisë mund të shikoni shumë mirë se çfarë bëjnë deputetët, në momentin që mendojnë se janë jashtë kamerave dhe të pavëzhguar”, u shpreh Tahiri.

Në një video të treguar, ministri evidentoi sjelljen jokorrekte të një polici dhe sjelljen, që ai e cilësoi si “rrugaçërore” të një funksionari të shtetit.

“Janë pikërisht këto video që patë që tregojnë modernizimin e policisë së shtetit. Lufta kundër korrupsionit në polici ka qenë e madhe.Në 300 ditë janë mbi 700 punonjës policie ndaj të cilëve janë marrë masa nga më e rënda deri tek më e lehta. Dje nuk kërkohej llogari ndaj punonjësve të policisë për shkak të sjelljes apo ryshfeteve, pasi shefat ishin vetë me të korruptuar se punonjësit”, tha gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm.

Ai bëri me dije se janë hedhur kritere rigoroze për përmbushjen e detyrës. “Në 300 ditë i kemi shërbyer shumë më shumë qytetarëve. Në 300 ditë janë 300 mijë telefonata më shumë në krahasim më një vit më parë, gjë që tregon për rritjen e besimit tek policia e shtetit”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se “300 ditët e ardhshme janë sfida jonë për të fituar besimin e qytetarëve tek shteti”. Sipas Tahirit, është sfida e madhe për të ndërruar perceptimin e qytetarëve, për t’i bindur ata se policia e shtetit është në shërbim të komunitetit.

“Bashkëpunimi i policit të zonës me administratorët e pallateve në zonat urbane apo kryepleqtë në zonat rurale, do të ketë një rëndësi të veçantë, me qëllim informimin mbi persona që kryejnë dukshëm vepra penale. Lufta kundër korrupsionit në polici ngelet një sfidë prioritare, ashtu si modernizimi dhe teknologjia”, tha ndër të tjera Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Rama: Jo polici e plepave, të ndërtojmë Universitetin e Policisë

Konferencën e Ministrisë së Brendshme në 300 ditët e para të punës së saj, e përshëndeti edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili që në fillim të fjalës së tij deklaroi se kjo nuk është një paradë suksesesh, por një paraqitje e punës dhe sfidave, si dhe marrje përsipër e përgjegjësisë për tu përballur me sfidat që do të vazhdojnë në këtë ministri.

Rama tha se nuk mund të vazhdohet më tej me një “polici plepash”, por duhet ngritur menjëherë një Universitet i Policisë.

“Kuadrot e policisë tonë nuk mund të edukohen me sistemin hibrid që ka qenë në fuqi deri sot. Ne duhet t’i japim vetes mundësinë që të përgatisim gjeneratën tjetër përmes një edukimi të plotë policor. Nuk është kjo një çështje kursesh, as tremujore, as gjashtëmujore. Ne nuk duam të bëjmë “policinë e plepave”. “Gjykatën e plepave” e kemi. Nga plepat e përpara dy dekadave, ja ku u katandisëm sot, nën plep. Presim në hije të plepit, drejtësi. Çfarë drejtësie mund të presim ne nga gjykata e plepave dhe çfarë sigurie do të presim ne, nesër, nga një polici plepash! Duhet të ndërtojmë universitetin e sigurisë. Duhet të ndërtojmë shkollën e lartë të Policisë së Shtetit, me të gjitha standardet, bazuar në eksperiencën më të mirë shqiptare, se kjo nuk është një gjë që shpiket për herë të pare, dhe bazuar në standardet më të larta të vendeve fqinje e partnere. Në mënyrë që, të mos kemi policë që nuk dinë të flasin shqip, në mënyrë që të mos kemi më policë që nuk dinë si t’i drejtohen qytetarit që ndalojnë në rrugë dhe që thonë “mirëmbrëma” kur është mëngjes”, tha Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se kur të bëhet raporti një vjetor, do të dëshironte që të thuhej se janë hedhur bazat e një edukimi të standardeve europiane për Policinë e Shtetit; se janë hedhur bazat e kontrollit të plotë të territorit, përmes teknologjisë së lartë; se janë hedhur bazat e monitorimit të performancës së çdo punonjësi patrulle, përmes teknologjisë së lartë; se janë hedhur bazat e një epoke të re kundër korrupsionit, përmes ç’korruptimit të plotë të Policisë së Shtetit; se janë hedhur bazat e një Shqipërie solidare dhe të mbështetur tek ligji, duke i dhënë fund krimeve mjedisore; se janë hedhur bazat e asaj Shqipërie që meritojnë fëmijët, duke mos ua lënë trashëgim vendin copa e çika, por të kuruar dhe në shërim e sipër, për t’ua lënë fjalën pastaj gjeneratave të tjera./a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit