
Tiranë, 22 korrik 2014, NOA.al – Kryetari i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku ka deklaruar pikëpamjen e tij kundër projektit të Reformës Administrativo- Territoriale, e cila pritet të kalojë për votim në Kuvend në fund të muajit korrik.
“Vota ime do të jetë kundër kësaj pakete ligjore. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, me gjithë dëshirën e saj, nuk është bërë pjesë e procesit të konsultimit dhe përfshirjes për hartimin e draftit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ndonëse një kërkesë e tillë iu është parashtruar drejtuesve të tij”, thuhet në një komunikim të Frrokut me mediat.
Sipas tij, kjo reformë nuk arriti të jetë gjithëpërfshirëse, pasi “çështjet administrative dhe territoriale janë tagër kushtetues, prandaj pamundësia e një kompromisi politik mes mazhorancës dhe opozitës ia humb legjitimitetin dhe besueshmërinë një harte të re administrative të Shqipërisë”.
Deputeti i Qarkut të Shkodrës, Mark Frroku, ka shprehur rezerva edhe për mënyrën e ndarjes së re territoriale të zonës që përfaqëson, gjë që është evidentuar edhe nga shqetësimet e banorëve të rretheve veriore.
“Kjo reformë nuk është pjesë e axhendës reale të zhvillimit prespektiv të vendit, por po kthehet në një lojë të pandershme për thela zgjedhore mes disa partive, duke e cenuar rëndë këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij”, shprehet Frroku.
Ai shton më tej se Shqipëria ka nevojë urgjente për realizimin e një reforme të tillë dhe unë, qoftë si kryetar i PKD-së, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë “jam pro realizimit të saj, por në rrugë, mënyra dhe standarde ndryshe nga këto që po përdoren aktualisht”.
Kreu i PKD-së ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të pozicionohet më qartë në lidhje me këtë nismë të rëndësishme ligjore. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





