
Tiranë, 22 korrik 2014, NOA.al – Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëshima, përmes një komunikate për mediat, ka bërë me dije qëndrimin e tij, sa i takon reformës territoriale, ai është shprehur se kjo reformë “do të shpëtojë popullin e Shqipërisë nga kjo situatë shumë e keqe e qeverisjes vendore”.
Ai është shprehur se në këto momente të reformës territoriale tensioni i deklaratave nuk është fare surprizë, duke shtuar se interesa të caktuara u përpoqën të kushtëzojnë kufizimin e territorit të Himarës, me pretendimin absurd dhe të gënjeshtërt, sipas Kokëdhimës, se Himara jetohet nga minoritarë grekë.
“Përfaqësuesit e këtyre interesave e ngatërruan reformën me ambicien për më shumë territore në një ndarje administrative mbi baza etnike e fetare. Ata kërkojnë një bashki të madhe të minoritetit grek në zonën e Vurgut dhe një bashki të vogël për himarjotët”, tha deputeti socialist.
Kokëdhima kujtoi se Himara është një nga trevat shqiptare me historinë më të lavdishme, që e ka paguar lirinë e saj në shekuj aq shtrenjtë sa askush tjetër, ndaj zgjerimi i saj drejt Lukovës e Vranishtit është në përputhje të plotë me parimet e reformës territoriale, por edhe me historinë dhe kulturën e kësaj treve.
“Kjo histori, kjo kulturë dhe identiteti i kësaj krahine nuk mund të ç’bëhet as me pensionet greke të tranzicionit shqiptar dhe as me deklarata të gabuara apo keqdashëse. Shumica dërrmuese e himarjotëve, jam i sigurt se do të ndjehen më pak të provokuar pas kësaj reforme territoriale. Himariotët e dinë shumë mirë çfarë janë, nga vijnë dhe ku shkojnë”, thotë në komunikatën për media, deputeti Koço Kokëdhima.
Ai shton më tej se Ministrit Çuçi i duhet ende punë për të negociuar zgjidhjet funksionale që ai dhe Komisioni i Reformës kanë realizuar për Delvinën, Sarandën, Konispolin dhe bashkinë e minoritetit.
Sipas Kokëdhimës, në këtë moment ka hyrë në lojë PDIU-ja, gjë të cilën deputeti e ka konsideruar si një zhvillim shumë interesant duke pasur parasysh se PDIU është parti e opozitës dhe ka pesë deputetë.
“Kërkesa e PDIU-së për t’i bashkangjitur Konispolit Vangalatin, Pandalemonin dhe Sopikun ka provokuar shumë diskutime. Për këtë çështje duket se ka akoma një hapësirë të mundshme negociatash e kompromisesh. Ndërsa për çështjet, fshatrat dhe bashkitë e tjera duket se qeveria e ka mbyllur diskutimin”, thotë Koco Kokëdhima.
Më tej shtohet se “ndërkohë që disa parti dhe shoqata të vogla janë përpjekur të imponojnë kërkesa të paarsyeshme, duke ekzagjeruar përtej realitetit mundësitë e tyre për të tronditur qetësinë dhe paqen në Jug të vendit, ata e kanë dobësuar tej mase rolin që mund të luanin në këtë reformë”.
Sipas deputetit Kokëdhima, ky boshllëk duket se shkon në favor të një roli për PDIU, që mund të rezultojë jashtëzakonisht i rëndësishëm në miratimin e kësaj reforme.
“Unë mbetem i interesuar të shoh edhe zhvillimet që do të ketë në qëndrimet e Andrea Martos. Marto është deputet i Partisë Socialiste me origjinë minoritare. Marto, ashtu si dhe shumë personalitete të tjera me origjinë nga minoriteti grek, ka qenë vazhdimisht dakord dhe është deklaruar se do të votojë për Himarën e bashkuar me Lukovën dhe Vranishtin. Mospërputhjet e tij thelbësore janë krijuar pas ndryshimeve që janë konsideruar të ndodhin në javën e fundit në kufijtë mes Delvinës, Sarandës dhe Konispolit me komunat e minoritetit. Unë shpresoj dhe uroj se në orët dhe ditët e ardhshme Marto do të dakordohet me qëndrimin politik të grupit të PS-së”, shprehet deputeti socialist.
Ai bën me dije se sot ka zhvilluar një numër takimesh me drejtues të Partisë Socialiste të minoritetit dhe të disa shoqatave e partive të këtij komuniteti në Sarandë. “Në këto takime vura në dukje se reforma territoriale nuk është kundër minoritetit grek. Përkundrazi, udhëheqësit e koalicionit tonë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i kanë dhënë mbështetje të plotë krijimit të komunave dhe bashkive për të gjitha minoritetet”, thotë Kokëdhima në komunikimin e tij.
Ai shton më tej se “reforma territoriale nuk zhvillohet me qëllimin për t’i hequr ca të drejta apo ca copa minoritetit, por për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik e cilësinë e jetës, si në minoritet ashtu edhe në bashkitë e komunat përreth tij, ku jetojnë gjithashtu shqiptarë dhe minoritarë së bashku”.
Sipas deputetit Kokëdhima, spekulimet e mëdha e të pabaza nuk duhet dhe nuk do të kompleksojnë qeverinë dhe ligjvënësit të bëjnë më të mirën e mundshme, në favor të organizimit më të mirë të qeverisjes vendore në të gjithë Jugun e Shqipërisë.
“Partia Socialiste është shumë e interesuar dhe do të punojë me këmbëngulje për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen dhe jetën e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera në Shqipëri”, përfundon deklaratën e tij deputeti i partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





