
Problemet fizike nuk e lanë të shprehej në maksimumin e tij në fundin e sezonit të kaluar e po ashtu edhe në Brazil, citon Supersport
Por Cristiano Ronaldo shuan frikën e armatës së fansave të tij në mbarë botën, duke i siguruar ata dhe klubin e Realit të Madridit, se është në formë dhe gati për sezonin e ri.
Ylli i Realit u shfaq pothuajse një hije e vetvetes në Botëror me Portugalinë, me luzitanët që i dhanë lamtumirën kompeticionit që në fazën e grupeve.
Natyrisht që të gjithë ishin të shqetësuar për dëmtimin në gju, por duke folur që nga Tokyo, Ronaldo ju dha atyre një mesazh optimizmi.
“Dëmtimi im ka kaluar, ndihem shumë mirë dhe dua ta filloj kampionatin dhe finalen e Superkupës së Europës më së miri dhe në formën optimale.
Dua të bëj më të mirën time për gjithë sezonin, ashtu siç bëj çdo vit. Do të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën time, do të përpiqem të shënoj gola dhe të fitoj tituj.
Ky është synimi im në çdo sezon, të përgatitem për të qenë në 100%, dhe për mua çdo sezon është një sfidë, ndaj dua të jem në maksimumin tim”.
Ronaldo mbërriti në Japoni të hënën për të promovuar një markë kozmetike japoneze me të cilën ka kontratë sponsorizimi.
Kjo ishte vizita e tij e dytë në vendin e samurajëve, pas turit të tij në 2008 me Manchester United për Botërorin e Klubeve.
Disa tifozë fatlumë u ftuan në skenë për ti bërë pyetje yllit të Realit, dhe Ronaldo i dedikoi disa fjalë inkurajuese një djaloshi, që i tha se dëshironte të bëhej një futbollist profesionist si ai.
“Mesazhi im për këtë djalë është: Beso në aftësitë e tua. Puno fort dhe dedikohu 100%, e ëndërro. Beso gjatë gjithë kohës, beso se e gjitha kjo, një ditë do të bëhet realitet”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





