Transmetuar më 21-07-2014, 17:38

Kupa e Botës nuk ka mundur të shpëtojë pa u dëmtuar nga festimet e çmendura të gjermanëve për titullin kampion, citon Supersport.

Ishte vetë presidenti i federatës, Wolfgang Niersbach i cili rrëfeu se trofeu i marrë në dorëzim nga FIFA ka pësuar një dëmtim të lehtë, pikërisht në vrullin e madh të festimeve pas triumfit në Brazil, ku pancerat mundën 1-0 Argjentinën në finalen e Rios.

Shefi i futbollit gjerman rrëfeu se fajtor për dëmtimin e Kupës është njëri prej futbollistëve kampionë, por emri i përgjegjësit mbetet ende mister.

“Diku, një copë e vogël është ciflosur, por mos u shqetësoni. Ne kemi specialistët e duhur të cilët mund ta riparojnë Kupën, duke e rikthyer siç ishte më parë.

Kemi hetuar pa pushim për të gjetur se kush mund ta ketë dëmtuar, por hetimet u mbyllën pa ndonjë rezultat”.

Për fat të mirë, Gjermanisë i është dorëzuar nga FIFA një kopje e Kupës së Botës, identike me origjinalen që u shfaq në Maracana më 13 Korrik dhe që vlen mbi 10 milionë Euro.

Për të shmangur incidente të tilla, qeveria e futbollit nuk ia beson dhe nuk e lë në duart e federatave Kupën e vërtetë.

Trofeu i famshëm që mban emrin e Jules Rimet ka qënë vazhdimisht në shënjestër të hajdutëve. Në vitin 1983 Kupa origjinale u vodh në Brazil dhe për fat të keq nuk u gjet kurrë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit