
Toni Kroos tregon prapaskenat e transferimit të tij nga “Allianz Arena” në “Santiago Bernabeu”, citon Supersport.
Sipas 24-vjeçarit, kontaktet me kampionët e Europës nisën atëherë kur bisedimet me bavarezët, për rinovimin e kontratës nuk po ecnin përpara.
“Nisa të mendoja për largimin nga Bayerni vetëm atëherë kur nuk po gjenim gjuhën e përbashkët për zgjatjen e bashkëpunimit.
Bayerni ka qenë gjithmonë prioriteti im, madje unë as e çoja në mendje largimin. Vendosa të largohesha për një sfidë të re, atëherë kur nuk kishte më hapësira për një marrëveshje të re”.
Kroos ruan përshtypjet më të mira për eksperiencën që kaloi në Bavari, edhe pse drejtuesit e Bayernit nuk pranuar t’ia rrisnin pagën.
“Nuk u largova nga Bayerni sepse nuk ndihesha i vlerësuar. Unë kam luajtur për një klub të madh dhe kam qenë titullar me trajnerë të ndryshëm.
Bayerni gjithmonë më ka qëndruar pranë, ndërsa Guardiola dhe Sammer kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua”.
Megjithatë një emër i madh i Reali i Madridit, nuk mund të refuzohet lehtë.
“Reali është një sfidë e madhe për mua. E gjithë bota e njeh këtë skuadër. Gjatë prezantimit tim ishin të pranishëm mijëra tifozë, ndërsa Florentino Perez u detyrua të ndërpriste disa herë fjalën për shkak të brohoritjeve.
Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”.
Kroos nuk i trembet konkurrencës për një vend në formacionin e Carlo Ancelottit, ndërkohë që shprehet i lumtur që do të luajë përkrah futbollistëve të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, Sami Khedira dhe Sergio Ramos.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





