Transmetuar më 21-07-2014, 15:13

Tiranë, 21 korrik 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Gerti Bogdani, ka denoncuar atë që e ka quajtur planin e Kryeministrit Edi Rama për qendrat e qyteteve dhe ka akuzuar kreun e qeverisë për bllokimin e gjithë projekteve zhvilluese të kryeqytetit.

Në fjalën e tij Bogdani tha se pas 300 ditëve dështime, pa asnjë bilanc pozitiv, pa asnjë investim, pa asnjë vend të ri pune, Edi Rama u rikthye tek fasadat kësaj here tek ato të Korçës.

“Si ish kryebashkiak i dështuar, Edi Rama në këto 300- ditë është kujdesur vetëm të bllokojë çdo investim për qytetarët e Tiranës. Në 300 ditë Rama ka bllokuar strehimin dhe banesat sociale, kopshte të reja, çerdhe të reja, shkolla të reja dhe çdo investim për qytetarët e Tiranës. Në 300 ditë Edi Rama bllokoi varrezat e qytetit të cilat për më tepër i kishte lënë në mëshirë të fatit për 11 vite me radhë kur ishte kryebashkiak. Në këto 300 ditë Edi Rama bllokoi zgjatimin e Bulevardit. Fakti është se në 300 ditë Edi Rama nuk i akordoi asnjë lekë për investime për qytetin dhe qytetarët e Tiranës. Për më tepër, në një hakmarrje primitive Edi Rama i kthehet kësaj zone autoktone tiranase duke e bllokuar, duke mos lejuar qytetarët e saj për ta zhvilluar pronën e tyre, duke mos i lejuar këto familje autoktone tiranase të zhvillojnë pronën e tyre për një fakt shumë të thjeshtë; sepse nuk ia dhanë votën dhe mbështetjen”, u shpreh deputeti demokrat.

Sipas tij, kjo është një hakmarrje që Rama sot si Kryeministër ua bën qytetarëve të Tiranës të cilët dje e nxorrën nga Bashkia e Tiranës.

Bogdani tha se, Edi Rama në këto 300 dite nuk po sillet dhe nuk po di të punojë si Kryeministër i vendit, por sillet si kryebashkiak i dështuar duke iu rikthyer edhe njëherë fasadave me shpresën për të mashtruar qytetarët me fasada, por duke harruar se shqiptaret duan më shumë punë, më shumë rritje ekonomike, shqiptarët duan më shumë siguri për jetën e tyre./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit