Transmetuar më 21-07-2014, 10:58

Lushnje, 21 korrik 2014, NOA.al – Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në qyteti e Lushnjes, ku është shprehur se për vite të tëra, në emër të bujqësisë janë zhvilluar kanalet e korrupsionit, ndërsa sot nxiten shembujt e suksesit.

“Për vite të tëra u abuzua me naftën. Ne emër të zhvillimit të bujqësisë u zgjeruan kanalet e korrupsionit. Sot hapim një faqe të re. Jo me lëmosha elektorale, apo klientele partiake. Sot nxisim shembujt e suksesit, për të nxitur punësim prodhim eksport. Numri i aplikimeve ka qenë si asnjëherë më parë. Kjo tregon se fermerët janë gati për sfidën e ciklit të mbyllur”, tha Kryeministri.

Ai ka shtuar më tej se AZHBR dhe drejtoritë e bujqësisë kanë misionin për të bërë të ditur këtë etapë të re. “Vitin e ardhshëm fondi do jetë më i lartë. Na duhet të jemi të aftë të thithim fondet e BE-së”, u shpreh Rama.

Në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat, Kryeministri deklaroi se na jep mundësinë për të aplikuar për fonde. “Sfida jonë është që ta bëjmë fermerin të aftë për të aplikuar. AZHBR është instrumenti fillestar. Kontratat që do nënshkruhen sot janë produkti i një procesi historik që nis për fshatin”, ka deklaruar Edi Rama.

Më tej ai ka shtuar se ka ardhur koha e aplikimeve dhe nxitjes me programe zhvillimi dhe se duhet të mos investojmë tek mbijetesa por tek zhvillimi. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit